Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Janë mbledhur në sallën e seancave deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës.

PDK-ja të hënën kanë dërguar një kërkesë te kryesuesi i Kuvendit, i cili është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, për mbajtjen e seancës konstituive.

Në kërkesën e saj, kjo parti ka deklaruar se Dehari e ushtron këtë rol për të mundësuar zhvillimin e seancës dhe konstituimin e Kuvendit, ndërsa, sipas saj, nuk i takon atij të vendosë politikisht nëse dhe kur duhet të vazhdojë seanca.

“Roli i tij është procedural, i përkohshëm dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit”, thuhet në kërkesën e PDK-së.

Dehari më herët ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje mes partive, pasi sipas tij, vazhdimi i seancës konstituive pa marrëveshje mund ta tensionojë edhe më tej situatën dhe të çojë edhe në konflikt fizik brenda Kuvendit. 

“Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, ka shkruar Dehari në Facebook. 

Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me aleatët e saj nga radhët e komuniteteve, ka mjaftueshëm vota për ta konstituuar Kuvendin e edhe për ta votuar Qeverinë. Por, për t’u zgjedhur presidenti kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve në dy raundet e para. Në rast se zgjedhja nuk mund të bëhet brena 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të reja të parakohshme.

Partitë nuk i janë afruar zhbllokimit të ngërçit politik qe gati dy vjet. Kosova është në cikël të vazhdueshëm krizash që prej zgjedhjeve të shkurtit 2025. Fillimisht pati telashe për konstituim e më pas dështimi për të formuar qeverinë çoi në zgjedhje të dhjetorit. Pas tyre pati konstituim, por nuk pati zgjidhje për presidentin e ri. Më 7 qershor pasuan zgjedhjet e reja.

Çitaku: Qëllimi i VV-së është ta thellojë krizën

1 min. më parë / 18 gus 2026 11:36
vlora citaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se vendi ka nevojë për institucione.

Sipas saj, kriza nuk është procedurale e as rezultat i një keqkuptimi, por ka deklaruar se ajo ësthë e qëllimshme. Ka shtuar se qëllimi i VV-së është thellimi e krizës në vend.

Ajo ka thënë se nga Lëvizja Vetëvendosje e as nga Albulena Haxhiu nuk pranojnë leksione morale, duke shtuar se, “ata janë shkelës të Kushtetutës dhe nuk brengosën për këtë”.

“Zonja Haxhiu është deputete, ndërkohë që KQZ-ja është organ i pavarur. Mbase është qëllim i VV-së të defufnksionalizojë të gjitha institucionet, e edhe KQZ-në. Kjo nuk do të thotë që ne nuk do t’i drejtohemi  Gjykatës Kushtetuese lidhur me KQZ-në pasi PDK-së i takojnë dy anëtarë në këtë institucion”, ka thënë ajo.

Ka deklaruar se edhe sot do të përsëritet kërkesa për seancë pas 48 orësh.

Kabashi-Ramaj: Kosova rrezikon rrëshqitjen drejt autokracisë

9 min. më parë / 18 gus 2026 11:28
Besa Kabashi-Ramaj

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka kritikuar pushtetin për veprime që rrezikojnë ta çojnë vendin drejt autokracisë. 

Kabashi-Ramaj ka thënë se demokracia nuk zhbëhet domosdoshmërisht brenda një nate, por dobësohet gradualisht kur një lider, sipas saj, nuk pranon më kufijtë që përcakton Kushtetuta e Kosovës.

“Qytetarët po e paguajnë çmimin e një shteti që nuk po lejohet të funksionalizohet, e rreziku që po i kanoset Kosovës sonë është shumë i madh. Demokracia nuk zhbëhet domosdoshmërisht brenda një nate, ajo fillon të dobësohet kur një lider nuk i pranon më kufijtë që ja vendos kushtetuta e Republikës së Kosovës... Kur Kuvendi mbahet jofunksional sepse nuk ka mbikëqyrje, kur pushteti përqendrohet gjithnjë e më shumë dhe institucionet që duhet ta kontrollojnë atë dobësohen. Këto janë shenja të rrezikshme dhe paralajmëruese të rrëshqitjes drejt një autokracie dhe ne nuk duhet t’i normalizojmë këto shenja”, ka thënë ajo.

Kabashi-Ramaj ka theksuar se pasojat e mosfunksionalizimit të institucioneve po i bartin qytetarët.

Tahiri-Kurtit: Do t’i ofrojmë votat për president me kusht të miratimit të gjashtë pikave

15 min. më parë / 18 gus 2026 11:22
besnik tahiri

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se deputetët nuk kanë punë tjetër përveç se të shkojnë në sallën e Kuvendit, e ta bëjnë punën e tyre.

Ai ka thënë se moskonstituimi i Kuvendit është sikur mos me dashtë të bëhet hapi i parë.

Sipas tij, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka ndalë Kosovën që ta bëjë hapin e parë.

Ka shtuar se Aleanca është pro konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Presidenti. Tahiri ka thënë se do t’i ofrojnë shtatë votat e kësaj partie, nëse plotësohen gjashtë pikat që i ka paraqitur Aleanca.

“Ne do t’i ofrojmë shtatë votat tona, me kusht të miratimit të gjashtë pikave tona. Ne e kemi një kërkesë të thjeshtë, deklarohu për gjashtë pikat tona sepse asnjë deklarim nuk ka pasur. Përveç votave të veta dhe aleatëve të tij, i ka edhe votat tona vetëm le të plotësohen pikat tona. Ai po mendon që ne do të lodhemi por se kemi ndërmend”, ka thënë ai.

Sipas tij, duke e shtyrë edhe më tej konstituimin e Kuvendit “Kurti mendon se do të na vendos para një akti presioni për zgjedhje me 27 dhjetor. Po 27 dhjetori do të jetë humbja më e madhe që e ka pasur”.

Gjashtë pikat e Aleancës janë: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan; Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill, për të garantuar sigurinë energjetike të vendit; Ngritja e pragut të TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro; Lirim i tokës së punuar nga tatimi në pronë për rritjen e prodhimit vendor; Financimi i plotë i projekteve rrugore dhe kapitale të mbetura pezull; Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard euro investime kapitale për Prishtinën.