Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Qeveria ta procedojë në Kuvend sa më shpejt ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Sipas kësaj partie, procedimi i këtij ligji është urgjent.
Deputetja Blerta Deliu-Kodra ka përmendur mbledhjen e fundit të Qeverisë ku kabineti ka proceduar disa projektligje të tjera, teksa është shprehur e pakënaqur që në mesin e tyre s’ka qenë edhe ai për Specialen.
“Qeveria e Kosovës paska sjellë në Kuvend 11 projektligje. Mjafton me e pa listën për me kuptu se cilat çështje i ka vendosë në krye të prioriteteve të veta: energjinë, inovacionin, organizimin e institucioneve të drejtësisë dhe një marrëveshje kredie. Ndërkohë, qytetarët po dalin çdo natë në shesh me një kërkesë të qartë. A po e dëgjon Qeveria zërin e tyre?” ka shkruar ajo në Facebook.
E, deputeti Arben Mustafa ka thënë se Qeveria me vendimet e fundit po mundohet të krijojë “një pamje të normalitetit”.
“Po mundohen të krijojnë një pamje të normalitetit. Por pas 16 shtatorit, Kosova nuk është në gjendje normale. Ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale nuk është çështje e vullnetit personal apo partiak. Është obligim kombëtar dhe shtetëror! Prandaj, mos kalkuloni. Silleni ligjin në Kuvend dhe procedojeni pa asnjë vonesë!” ka shkruar Mustafa.
Edhe
Gërvalla: Nga dita e parë po përgatitemi për betejën në Apel
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, të shtunën ka thënë se Ministria e Drejtësisë është duke analizuar projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike për çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara.
“Shumica e gjërave që lidhen me dhomat e specializuara janë çështje të ekspertizës së lartë. Nevojitet kujdes i madh që të mos bëjmë gabime. Në Ministrinë e Drejtësisë janë ekspertët që po e analizojnë edhe projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Kur ta kemi gati, do t’ia dërgojmë qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë. Por as nuk duam të nxitohemi, e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme”, ka thënë Gërvalla.