Qeveria ka çuar në Kuvend përgjigjet lidhur me kërkesën e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës për ndryshime të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një njoftim për media është bërë e ditur se vendimi u mor në një mbledhje elektronike të premten.
Përgjigja e Qeverisë përfshin “opinionin ligjor të përputhshmërisë me acquis të BE-së; vlerësimin e ndikimit buxhetor; dhe, opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit në fjalë”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka: Miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës me nr. Prot.1108 të datës 23.09.2026, për Nismën legjislative për “Projektligjin Nr. 11/L- 001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, për të dhënë vlerësimin që përfshin: opinionin ligjor të përputhshmërisë me acquis të BE-së; vlerësimin e ndikimit buxhetor; dhe, opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit në fjalë”, thuhet në njoftim.
Partia Demokratike e Kosovës ka iniciuar ndryshimet ligjore, pas verdiktit dënues të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me anë të ndryshimeve ligjore në PDK synojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.
Më 16 shtator, Specialja dënoi nën akuzat për krime lufte me 81 vjet burgim Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.
Pas kësaj, ka pasur protesta të vazhdueshme në Kosovë.
Edhe
PDK-ja kritikon Qeverinë për mosprocedimin e ndryshimit të Ligjit për Specialen në Kuvend
E vendimi i Gjykatës Kushtetuese që presidenti të zgjidhet deri më 6 tetor, çoi në rritje të kërkesave që ndryshimet ligjore të bëhen para kësaj date.
PDK-ja ka përsëritur në vazhdimësi se në rast të ndryshimeve ligjore, atëherë hapet mundësia e diskutimit për president.
Të premten, pas takimit që kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e pati me kryeministrin dhe kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Hamza tha se s’ka dakordim, si dhe përsëriti kërkesën që çështja për Specialen të trajtohet para asaj të presidentit.