Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e presidentes së Kosovës për të kthyer në rishqyrtim në Kuvend ndryshimet ligjore për Gjykatën Speciale dhe ka rikujtuar se ekzistojnë modalitetet e konsultimeve me BE-në në rast të ndryshimeve.
Një ditë më parë, presidentja Justina Shiroka-Pula ktheu në Kuvend ligjin me kërkesë të Partisë Demokratike, si sponsorisuese e ligjit. Nga kjo parti u tha se kthimi po bëhet për të forcuar bazën juridike dhe që të sigurohet zbatimi i tij në praktikë.
Në një deklaratë të një zëdhënësi të BE-së është ritheksuar se kjo gjykatë është formuar bazuar në një marrëveshje të Kuvendit me Bashkimin Evropian.
“BE-ja ka shprehur vazhdimisht shqetësimin e thellë lidhur me nismën për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara, si para ashtu edhe pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës më 6 tetor 2026. Në frymën e shkëmbimit të letrave të vitit 2024, ndërmjet Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe presidentes së Kosovës, që përcakton modalitetet për konsultimin e BE-së para ndryshimit të ligjit, ne presim që Bashkimi Evropian të konsultohet nëse diskutimet rinisin në Kuvend. Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themelore, përfshirë ato të viktimave dhe të dëshmitarëve, mbeten me rëndësi primare”, ka thënë ky zëdhënës.
Tutje aty është thënë se Dhomat e Specializuara janë institucion gjyqësor i pavarur “i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës më 2014-2015, bazuar në një Marrëveshje të Veçantë me BE-në” dhe se ato “funksionojnë brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe janë të sanksionuara në Kushtetutën e Kosovës”.
Edhe
Rrustemi pas kthimit të Ligjit për Specialen: Kuvendi i ka dy opsione
“Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht dhe pa asnjë rezervë”, thuhet në deklaratë.
Në fund të deklaratës BE-ja ka shprehur solidaritetin me të gjitha viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet që janë prekur nga mizoritë e kohës së luftës.
Ndryshimet në Ligjin për Specialen, të propozuara nga PDK-ja, janë miratuar më 6 tetor, si pjesë e marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka përfshirë edhe zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të vendit, me çka janë shmangur zgjedhjet e reja.
Qëllimi i ndryshimeve qe kufizimi i mandatit të Gjykatës Speciale në kohë, territor e në lëndë.
Edhe
Çfarë kërkon PDK-ja të ndryshojë në Ligjin për Specialen
Kuvendi e mori vendimin pas dënimit të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi me 81 vjet burgim nën akuzat për krime lufte.
Deri në momentin e miratimit para institucioneve pati protesta për disa ditë.