Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK i kërkon presidentes ta rikthejë në Kuvend Ligjin për Speciale

Partia Demokratike e Kosovës - PDK

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga presidentja Justina Shiroka-Pula që ta rikthejë për rishqyrtim ndryshimin në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Në një komunikatë për media nga PDK-ja është thënë se në rishqyrtim synohet adresimi i elementeve që mund ta pengojnë zbatimin e ligjit.

“Pas konsultimeve të gjera, PDK-ja vlerëson se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Në komunikatë, PDK-ja është shprehur krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ka marrë. 

“Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme. Ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij. Rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij. Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme”, thuhet tutje në komunikatë.

Edhe Miftaraj: Ligji për Specialen ka probleme, presidentja vepron drejt nëse ia kthen Kuvendit Arbëri Miftaraj: Ligji për Specialen ka probleme, presidentja vepron drejt nëse ia kthen Kuvendit

PDK-ja ka ftuar ekspertë dhe Avokatin e Popullit që t’i paraqesin propozimet konkrete.

Kjo parti ka thënë se “gatishmëria për ta përmirësuar ligjin s’është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij”.

“PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi. Qëndrojmë prapa nismës sonë, kërkesës qytetare dhe zotimit për të mos i lënë vetëm çlirimtarët tanë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu PDK-ja ka thënë se po punon për strategji të koordinuar shtetërore për apelin, sigurimin e fondeve të nevojshme dhe mbështetjen për mbrojtjen e katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Mbështetja për apelin dhe finalizimi i ligjit duhet të ecin së bashku”, thuhet në reagim.

Edhe Kufizimi i juridiksionit të Speciales një nënshkrim larg hyrjes në fuqi Arbëri Kufizimi i juridiksionit të Speciales një nënshkrim larg hyrjes në fuqi

Më 6 tetor, Kuvendi miratoi ndryshime në Ligjin për Specialen, me nismën e PDK-së. Qëllimi i ligjit qe kufizimi i mandatit të Gjykatës Speciale në kohë, territor e në lëndë.

Kuvendi e mori vendimin pas dënimit të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi me 81 vjet burgim nën akuzat për krime lufte.