Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti fton liderët e partive në takim, LDK-ja i përgjigjet pozitivisht, PDK-ja e AAK-ja e refuzojnë

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar për takime ndaras liderët e partive politike, në përpjekje për të themeluar institucionet. 

Ftesës së Kurtit i është përgjigjur pozitivisht kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e negativisht i janë përgjigjur kreu i PDK-së, Bedri Hamza dhe ai i AAK-së, Ardian Gjini.  

Kurti pritet të takohet me Abdixhikun të martën nga ora 18:00. 

Paraditen e sotme, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet që shumë shpejt t’u dërgojë ftesë për takim partive politike. 

Kurti paralajmëroi për këtë javë se mund të ketë diçka konkrete sa i përket një marrëveshjeje me Lidhjen Demokratike.

Më 6 gusht është caktuar seanca për inaugurimin e legjislaturës XI.
 

Kurti e Abdixhiku takohen nesër në orën 18:00 në Kuvend

1 muaj më parë / 3 gus 2026 17:19
Albin Kurti - Lumir Abdixhiku

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojnë nesër një takim në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për konstituimin e institucioneve shtetërore.

Lajmin për KOHËN e konfirmoi zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

“Po, nesër në 18:00 në Kuvendin e Kosovës”, tha Mustafa.

Lideri i Vetëvendosjes ka ftuar për takim liderët e partive politike. Derisa Abdixhiku i është përgjigjur pozitivisht, ftesën për takim e kanë refuzuar Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës. 
 

Edhe Hamza refuzon ftesën e Kurtit për takim

1 muaj më parë / 3 gus 2026 16:43
Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar ftesën për takim që ia ka bërë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti. 

Në letrën kthyer Kurtit, Hamza, ka thënë se qëndrimi i PDK-së është që të vazhdojë të qëndrojë në opozitë. 

Hamza i ka bërë thirrje Kurtit që me partitë tjera të arrijë marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja. 

“Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, thuhet në përgjigjen e Hamzës. 


 

Gjini refuzon ftesën e Kurtit për takim

1 muaj më parë / 3 gus 2026 15:58
Ardian Gjini

Aleanca nuk do të shkojë në takimin e ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. 

Kjo parti e ka refuzuar ftesën e Kurtit, sikurse herën e kaluar.

Në letrën që kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ia ka kthyer Kurtit thuhet se Aleanca e ka qartësuar pozicionin e vet sa i përket themelimit të institucioneve.

Gjini ka theksuar se nuk kanë kurrfarë interesi që të jemi pjesë e Qeverisë së Kosovës, në asnjë format. 

“Po ashtu, e kemi ofruar mundësinë e ndihmës për themelimin e institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve të reja, duke pasur parasysh pikërisht zgjedhjen e Presidentit të Kosovës”, thuhet në letër.
Tutje thuhet se Aleanca ka vendosur gjashtë pika që besojnë se janë interes jetik për Kosovën dhe qytetarët e saj, dhe se nuk kanë marrë asnjë përgjigje direkte ose indirekte për to.

“Gjashtë pikat tona: Orientimi Strategjik dhe Gazi Amerikan – Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si prioritet strategjik dhe jetik shtetëror. Pavarësia Energjetike – Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill, për të garantuar sigurinë energjetike të vendit. Lehtësimi për Bizneset e Vogla – Ngritja e pragut të TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro. Mbështetja për Bujqësinë – Lirim i tokës së punuar nga tatimi në pronë për rritjen e prodhimit vendor. Kushtimi i Infrastrukturës – Financimi i plotë i projekteve rrugore dhe kapitale të mbetura pezull. Fondi Emergjent për Kryeqytetin – Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard euro investime kapitale për Prishtinën”, thuhet në letrën e AAK-së.