Koordinatori i Departamentit për Financa në kuadër të kabinetit për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, deklaroi se kryeministri Albin Kurti, po përpiqet t'i shuajë pakënaqësitë e qytetarëve duke shpërndarë lëmoshë.
Ai tha para mediave të hënën, se pakoja që Kurti e prezantoi të shtunën, ka synim blerjen e paqes sociale, “pas krizës së krijuar nga Qeveria ndaj punonjësve të sektorit publik”.
“Pas disa muajve shumë të rëndë të ballafaqimit me rritjen e çmimeve dhe me krizë energjetike, Qeveria e Kosovës u detyrua nga pakënaqësitë qytetare për t’u marrë me rrethanat e krijuara, duke prezantuar një pako të masave ekonomike, përmes zotimit të shumës prej 150 milionë eurove për subvencionim të disa kategorive shoqërore, të cilat ndonëse janë të mirëseardhura si hap, janë të pamjaftueshme dhe nuk zgjidhin asnjë problem real si përmbajtje. Është krejt e natyrshme që diçka e tillë nuk mund të pritet nga një Qeveri e cila operon me logjikë të impulseve e jo me plan të zhvillimit”, theksoi ai.
Mustafa deklaroi se qytetarët kanë nevojë për siguri ekonomike dhe ndihmat e tilla nuk mjaftojnë për t’u përballur me shtrenjtimin e kostos së jetesës.
“Me politika të tilla, Qeveria po dëshmon se bllokimin e investimeve kapitale e ka bërë për t’i grumbulluar depozitat në mënyrë që sa herë që të ketë krizë besimi te qytetarët apo kur partia në pushtet nuk i ka punët mirë ne terren, ta hapë kuletën e shtetit dhe të shpërndajë lëmoshë për ta zbutur mllefin e qytetarëve”, tha ai.
Edhe
Opozita: Kurti po e blen paqen duke shpërndarë lëmoshë për qytetarët
Mustafa u shpreh se Qeveria ka mungesë vizioni dhe transparence, duke deklaruar se Ministria e Financave nuk po i shfrytëzon instrumentet e akcizës dhe të TVSH-së për t’i zbutur çmimet.
Skemat e punësimit, të lansuara nga Qeveria, koordinatori i PDK-së i quajti të paefektshme.