Në prag të zgjedhjeve lokale në 38 komuna, Qeveria në detyrë ka dhënë premtime për “lajme të mira” për katër kategori. Ka qenë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që në një tubim të Vetëvendosjes në Gjakovë të premten ka dhënë premtime për shtesat për fëmijë, pensionistët, punëtorët e sektorit privat dhe veteranët.
E të njëjtin premtim e ka përsëritur të shtunën, një ditë para zgjedhjeve, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Ai ka thënë se pas vendimit për mbështetjen për studentët këtë javë, do të ketë rritje të asistencës sociale për të gjitha familjet në social me 20 për qind, e ka thënë se “lajm të mirë” do të ketë edhe për fëmijët që marrin shtesa, pensionistët dhe veteranët që do t’u hiqet kufizimi për punësim. Murati ka thënë se do të ketë “lajm të mirë” edhe për ata që punojnë në sektorin privat me pagë minimale.
“Kështu që mos harroni më 12 tetor dilni votoni e pastaj festojmë bashkë me të gjitha këto lajme të mira me Qeverinë Kurti 3”, ka thënë Murati në një video të publikuar në Facebook.
Ditë më parë, Qeveria në detyrë ndau 26 milionë euro për studentët – nga 100 euro njëherësh dhe për familjet që kanë studentë, e që marrin pagë vjetore nën 12 mijë euro. Vendimi u kritikua nga opozitarët që e cilësuan masë elektorale, ndërsa nga ekspertët si vendim me të cilin nuk përfitohet asgjë.
Asistenca sociale në vend është prej 60 deri 180 euro, varësisht nga numri i anëtarëve në familje.