Milan Vukashinoviqi, i cili u plagos dhe u rrëmbye nga Jellakca e Leposaviqit duke u dërguar në territorin e Serbisë, po vazhdon të trajtohet në Beograd. Familjarët e tij për më shumë se një muaj nuk janë lejuar ta vizitojnë atë. Prokuroria e Lartë në Prokuple po e heton atë si të dyshuar, kurse Prokuroria e Lartë në Krushevc e ka në dorë kallëzimin penal të avokatit për tentim vrasjen e tij.
Pas më shumë se një muaji rezistence, institucionet serbe më në fund kanë lejuar që nëna e Millan Vukashinoviqit javën e ardhshme ta vizitojë djalin e saj në spitalin e Burgut të Qarkut të Beogradit.
Shtetasi i Kosovës që u plagos dhe u rrëmbye nga persona të panjohur më 1 nëntor 2025 nga Jellakca e Leposaviqit dhe u dërgua në territorin e Serbisë, është duke u trajtuar në Beograd.
Deri më tani Milan Vukashoviqin, siç ka bërë të ditur avokati i tij, Ivan Niniq, nuk ka mundur ta vizitojë asnjë familjar, por vizita i është mundësuar nënës me lejen e Gjykatës në Prokuple.
“Nëna e Milan Vukashinoviqit ka marrë leje për vizitë në spitalin e burgut në Beograd, dhe të martën do të jetë vizita dhe kontakti i parë me Milanin. Gjithashtu, nëse gjendja shëndetësore e Milanit është e qëndrueshme, ai parashihet të deklarohet për herë të parë para prokurorit në spital më 12 dhjetor, kur do të mësojë se për çfarë dyshohet dhe kur do të paraqesë mbrojtjen e tij. Paraburgimi ndaj tij është zgjatur për një muaj tjetër, dhe unë kam paraqitur ankesë kundër këtij vendimi”, tha avokati i Vukashinoviqit, Ivan Niniq.
Në Kosovë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë po e heton rastin Vukashinoviq si tentim vrasje.
Në Serbi, për Vukashinoviqin, siç thotë avokati Ivan Niniq, ekzistojnë dy raste që lidhen me të, ku i pari ka të bëjë me kallëzimin penal për tentim vrasjen ndaj tij, ndërsa rasti tjetër ai është si i dyshuar nga autoritet serbe.
Niniq tha se nuk e di se cilat janë dyshimet e prokurorisë së Lartë në Prokuple për rastin ku Vukashonoviqi është i dyshuar.
Ky institucion i pyetur nëse ka hetim lidhur me plagosjen me armë zjarri të Vukashinoviqit, ka thënë për Kohën se ky rast është në Prokurorinë e Lartë të Krushevcit.
Këtë informacion e konfirmoi edhe avokati Niniq, porse Prokuroria në Krushevc nuk u përgjigj lidhur me atë se a është duke e hetuar rastin, a ka identifikuar ndonjë të dyshuar dhe lidhur me cilat vepra penale po zhvillohet hetim.

Avokati Niniq ka thënë se mjekët në spitalin e burgut në Beograd refuzojnë çdo komunikim me familjen në lidhje me informacionin për shëndetin e tij, andaj i është dashur t’i drejtohet gjykatës.
E një kërkesë për vizitë i ka shkuar edhe mbrojtësit të qytetarëve në Serbi.
“Edhe motra e Milanit ka parashtruar kërkesë tek Ombudspersoni në Beograd në emër të familjes, por nuk kemi informacion nëse ai do ta vizitojë Milanin në spital”, tha Niniq.
Tabloidet serbe, përfshirë edhe “Večernje Novosti” e kanë demonizuar Vukashoniviqin, duke vendosur edhe lajme në ballinat e tyre që pretendonin se ai e ka spiunuar ushtrinë serbe.
Por, avokati Niniq në postimet e tij në rrjetin X, i ka quajtur këto shkrime inskenime të dobëta, që sipas tij e largojnë vëmendjen nga tentim vrasja e Vukashinoviqit.
Niniq ka parashtruar kallëzim penal ndaj personave të panjohur të Ushtrisë, pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) dhe grupit të Milan Radoiçiqit.
Institucionet e Kosovës besojnë se motivi i sulmit ndaj Vukashinoviqit ishte sepse ai nuk i është bindur Listës Serbe, duke mos e braktisur punën në Byronë Kosovare të Sigurimeve, pavarësisht se në vitin 2022 dhe 2020 i është bërë presion për këtë.
Zyra e BE-së ne Serbi nuk është përgjigjur në pyetjet e Kohës nëse kanë mbledhur informata për rastin dhe a u kanë kërkuar autoriteteve serbe ta hetojnë plagosjen e Vukashinoviqit.