Familja e as Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd nuk janë lejuar ta vizitojnë në spital Milan Vukashinoviqin, shtetasin e Kosovës që u plagos në veri të vendit dhe më pas u rrëmbye nga xhandarmëria e Serbisë, më 1 nëntor. Avokati i familjes së tij e ka quajtur këtë rast “Banjska 2”, ndërkohë nuk ka pasur reagim as nga shoqëria civile në veri me arsyetimin se nuk ka informata të mjaftueshme
Dhjetë ditë pas sulmit me armë brenda territorit ku u qëllua shtetasi i Kosovës, Milan Vukashinoviq, as Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi e as familja e tij nuk janë lejuar ta vizitonin atë në spitalin e Nishit në Serbi.
Përfaqësuesi ligjor i familjes së tij, Ivan Niniq, i cili e ka quajtur incidentin “Banjska 2”, ka thënë se tash edhe vetë ai është duke marrë kërcënime nga persona të panjohur në Serbi.
“Të paktën 23 gëzhoja janë gjetur pranë veturës që drejtonte Milani dhe fotot e makinës së shkatërruar konfirmojnë se Milani u qëllua në një pritë. Diçka e tillë nuk ka guxuar të ndodhte në Evropë, e kanë qëlluar njeriun pas shpine. Jam i shokuar nga ky veprim si person dhe si avokat dhe është e qartë për mua se ky është rezultat i forcave të sigurisë së vendit tim dhe kjo është arsyeja pse po fshihet e vërteta e plotë. Pavarësisht faktit se këto ditë po marr kërcënime se do të pësoj njëjtë si Milan Vukashinoviqi, do të vazhdoj të kërkoj që të gjithë të përfshirët të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë”, ka thënë Niniq në një përgjigje për KOHËN.
Avokati ka thënë se Vukashinoviqi vazhdon të jetë në gjendje të rëndë dhe se ende nuk i është hequr një plumb nga shtylla kurrizore.
“Gjendja shëndetësore e Milan Vukashinoviqit është shumë e rëndë. Plumbi ende nuk i është hequr nga shtylla kurrizore e tij, pasi mjekët po vonojnë të ndërmarrin veprime të tilla. Familja e Milanit e ka të ndaluar ta vizitojë Qendrën Klinike të Nishit dhe të gjitha informacionet nga mjekët janë shumë të kufizuara dhe vijnë vetëm me telefon. Askush nga organet zyrtare të Serbisë nuk ka shpjeguar se çfarë ndodhi më 1 nëntor dhe askush nuk e ka kontaktuar familjen e Milanit”, është shprehur Niniq.
Burime në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë bërë të ditur se përfaqësuesit nga Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Beograd më shumë se një herë kanë bërë përpjekje për ta vizituar Vukashinoviqin, porse kjo nuk u është lejuar, derisa nga spitali nuk u janë dhënë informacione të tjera përveçqë ai ndodhet në trajtim intensiv.
E presidentja Vjosa Osmani ka thënë të martën se sulmi ndaj shtetasit të Kosovës në afërsi të kufirit me Serbinë është prishje e paqes nga Serbia.
“Pavarësisht se ku ka ndodhur, është krim, provokim i rëndë dhe tentim vrasje e institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Republikës së Kosovës. Edhe po të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë, përsëri është provokim i rëndë për paqe dhe stabilitet në rajonin tonë”, ka thënë Osmani.
Për rastin nuk ka pasur reagime deri më tash nga MPJD-ja dhe Bashkimi Evropian e as nga shoqëria civile në veri të vendit. Kanë heshtur edhe nga Lista Serbe dhe autoritetet e Serbisë.
Nikola Gaon, zëdhënës i Zyrës së BE-së në Kosovë, në pyetjet e KOHËS është përgjigjur, duke e referuar redaksinë te konferenca ku ambasadori Aivo Orav deklaroi se ende po mbledhin informacione për rastin.
E drejtori i OJQ-së “ACDC” në veri, Dushan Radakoviq, ka deklaruar se nuk ka reaguar meqë ka shumë informata për rastin.
“Nuk kam shumë informata për atë rast, sepse kam qenë në pushim dhe tash jam kthyer nga pushimi dhe nuk e njoh tërësisht. Nuk po shoh ndonjë reflektim sot në situatën e sigurisë...Në rastet që ndodhin në qendër të qytetit ke më shumë informata e kjo ka ndodhur në kufi dhe nuk kemi shumë informata. Kjo është arsyeja e vetme”, ka thënë Radakoviq.
Drejtori i OJQ-së “Aktiv”, po ashtu me qendër në veri, Miodrag Miliçeviq, ka theksuar se qytetarët në veri kanë paqartësi sa i përket rastit. Sipas tij, nuk kanë pasur informata të mjaftueshme për të reaguar publikisht si organizatë.
Miliçeviq ka thënë se janë në pritje të konfirmimit zyrtar nga institucionet e Serbisë sa i përket këtij incidenti.
“Që të jem plotësisht i qartë nuk i shmangemi kërkimit të llogaridhënies as nga pala e Kosovës e as nga ajo e Serbisë, përfshirë edhe bashkësinë ndërkombëtare, por ne donim të dinim më shumë sa i përket vetë incidentit në mënyrë që të kërkojmë llogaridhënie të plotë të cilësdo palë në këtë proces. Më duhet të them që ne kërkojmë llogaridhënie kur bëhet fjalë për Banjskën për shembull dhe ai ishte rast tejet më serioz, por kjo nuk e përjashton zotërinë Vukashinoviq që u plagos, nëse burimet e pakonfirmuara dhe jozyrtare po e thonë të vërtetën, sigurisht që ai është pjesë e komunitetit dhe me të vërtetë na duhet të dimë të paktën statusin e z. Vukashinoviq”, ka thënë Miliçeviq.
Avokati Niniq e institucionet e Kosovës besojnë se motivi i sulmit ndaj Vukashinoviqit ishte sepse ai nuk i është bindur Listës Serbe, duke mos e braktisur punën në Byronë Kosovare të Sigurimit, pavarësisht se në vitin 2022 i është bërë presion për këtë.
Tabloidi i afërt me pushtetin e Serbisë, “Veçernje Novosti”, më 8 nëntor ka nxjerrë në ballinën e saj titullin “Spiunonte kundër ushtrisë sonë, kishte lidhje me Kurtin”, duke e publikuar edhe fotografinë e Vukashinoviqit.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë po e heton këtë rast si tentativë vrasje.
Vukashinoviq, sipas autoriteteve të Kosovës, është plagosur e më pas është rrëmbyer nga xhandarmëria e Serbisë, e cila ishte futur në territorin e Kosovës.