Arbëri

Pas mbulimit të muraleve në veri, shpërndahen fletushka për vendosje të flamujve serbë

Pas mbulimit të muraleve dhe mbishkrimeve në Komunën e Zveçanit, disa fletushka me mbishkrimet Serbia nuk është lojë e askujt”, “Le të vendosë secili flamurin në dritare, mbi makina, në çdo vend ku Serbia jeton”, janë shpërndarë në Komunën e Zveçanit. Kryetari i Zveçanit tha se nëse flamujt do të vendosen në vende të ndaluara, do të veprojnë konform ligjit.

Heqja e muraleve dhe fotografive të kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, dhe fshirja e flamujve në veri nga institucionet e Kosovës, nga nxitur reagime te serbët. 

“Serbia nuk është lojë e askujt”, “Le të vendosë secili flamurin në dritare, mbi makina, në çdo vend ku Serbia jeton”, janë disa nga mbishkrimet dhe fletushkat që janë shpërndarë në veri si shenjë proteste.

E pas këtyre thirrjeve, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, tha se nëse flamujt do të vendosen në vende të ndaluara, do të veprojnë konform ligjit.

“E kemi marrë vendim si komunë dhe e kemi fshirë do të thotë, së pari fotografinë e kriminelit Mlladiq, kështu që kemi fillu edhe disa mbishkrime tjera që kanë provokuese për qytetarët tjerë. Nëse e marrin ndonjë veprim aty ku është e lejuar për m’iu vendos edhe un si kryetar komune do t’i lejoj, aty nuk është e lejuar m’i vendos ligjërisht, munden m’i vendos por prapë do t’i largojmë”, ka deklaruar Peci.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut ka treguar se fshirja e muraleve dhe mbishkrimeve është bërë me asistim të pjesëtarëve të Policisë.

“Dje në mëngjes dhe sot në mëngjes Policia e Kosovës ka asistuar një kompani e cila ka qenë me leje të komunave për t’i mbuluar grafitet, muralet dhe të gjitha ato të cilat kanë qenë në veri të vendit. Ne e kemi kryer punën tonë, kemi asistu që mos të ketë ndonjë problem. Mbrëmë ka pasë disa fletushka të cilat janë shpërndarë në Zveçan diku, mirëpo nuk ka pasë elemente për rast, mirëpo nuk ka elemente që ne me inicu rast, për shpërndarjen e atyre fletushkave”, ka thënë Elshani.

Por eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, ka thënë se këto veprime të serbëve në këtë komunë bëhen me direktiva të Beogradit.

“Ato dirigjimet ose gjenezat, sipas mendimit tim kanë ardhë nga Beogradi dhe estabilishojnë të kontaminuara atje duke pasë parasysh problemet që i kanë tepër të mëdha të brendshme me protestat dhe me aparaturën brutale shtetërore atje”, ka deklaruar Dashevci.

Drejtuesit e Listës Serbe premtuan se muralet do të kthehen siç ishin pas zgjedhjeve lokale.

E drejtues të partisë “Demokracia serbe” kanë thënë se po bëhen përpjekje për të fshirë sistematikisht identitetin serb në Kosovë.

Por kryetari i Zveçanit tha se mbulimi i muraleve dhe mbishkrimeve është hap konkret për të eliminuar çdo simbol të dhunës dhe urrejtjes nga hapësirat publike.