Pas rikthimit të Listës Serbe në pushtet në veri, banorët serbë hezitojnë ta komentojnë situatën, ndërsa ata shqiptarë presin që të zbatohet ligji. E njohës të sigurisë shprehën pritjen që Lista Serbe të vazhdojë me destruktivitet politik, por thanë se më nuk ka kapacitete ta cenojë sigurinë, për shkak të shtrirjes së institucioneve të rendit gjithandej veriut.
E zakonshme ka qenë të shtunën prezenca e policisë në e përreth objektit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, në krye të të cilit institucion një ditë më parë u vendos kryetari serb, Milan Radojeviq.
Rikthimin e Listës Serbe në pushtet në veri refuzuan ta komentojnë qytetarët serbë që banojnë në këtë komunë. E banorët shqiptarë nuk kanë pritje pozitive nga Radojeviqi, pos shpresë që në veri të sundojë ligji.
“Unë nuk besoj që këta janë të qetë, këta gjithmonë tentojnë të shpikin, zbulojnë, provokojnë por megjithatë kur vepron ligji çdo gjë duhet të jetë në rregull. Duhet të vazhdohet me ligjet e Kosovës, pikë së pari ta respektojnë Kushtetutën”, ka thënë banori i Mitrovicës së Veriut, Rexhep Braimi.
Në një intervistë që ka dhënë për një televizion serb, Radojeviqi ka thënë se inaugurimi ka shkuar mirë. Sipas tij, ka ndodhur kështu falë përgatitjeve serioze me ndërkombëtarët.
Radojeviqi e cilësoi si katastrofike gjendjen e katër komunave pasi i morën mandatet duke iu referuar asaj të Zveçanit, që tha se kryetari Ilir Peci ua largoi fotografitë e disa ikonave serbe.
Por, Peci ka thënë se këto fotografi deshi t’i përdorë për provokim e tension kryetari i ri i Zveçanit, Dragisha Milloviq, në takimin me të, disa ditë para se t’ia dorëzonte detyrën.
“Fillimisht, kur hyri këtu, ka pritur t’ia liroj karrigen, d.m.th. jo që unë jam kaq për një karrige, mirëpo rendet dhe procedurat janë ato.... Pastaj filloi për disa fotografi që ku i kemi lënë fotografitë, përgjigjja ime ka qenë shumë e qartë dhe shkurtër, vetëm për takim, për procedurat se kur duhet thirrur për kuvendin e ri”, ka theksuar ish-kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.
Lista Serbe rimori pushtetin edhe në dy komunat e tjera, në Zubin-Potok e Leposaviq.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, thotë se pushteti lokal nuk është më armë me të cilën do të mund të sfidohet shteti i Kosovës.
Ai pret destruktivitet politik nga Lista Serbe, por jo edhe kapacitete për cenimin e sigurisë.
“Mund të ketë qasje politike destruktive siç kanë bërë gjithmonë sepse kjo parti njihet si e dirigjuar direkt nga politikat e Beogradit por që të cenojë diçka me sigurinë sikurse më përpara me bllokada e barrikada kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë... për arsye se të gjitha institucionet e sigurisë si reagues të parë janë të konsoliduar dhe janë në vigjilencë të paparë deri sot”, ka thënë Dabishevci.
E shtuna qe e qetë edhe në komunën e Zubin-Potokut, të cilën për katër vjetët e ardhshme do ta drejtojë Millosh Peroviqi.
Një ditë pas përfundimit të mandatit të kryetarit shqiptar Izmir Zeqiri, në komunë kanë mbetur simbolet e Republikës së Kosovës.
Por, aty vazhdon të jetë edhe dera e hekurt që ishte salduar nga serbët lokalë para dy vjetësh e gjysmë që t’ia ndalonin hyrjen në Komunë, Zeqirit.