Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për mospërfillje të një urdhri policor. Ai të mërkurën ka dalë para Gjykatës Themelore në Mitrovicë lidhur me rastin e janarit të sivjetmë, kur gjatë vendosjes së një baneri është hasur nga Policia e Kosovës dhe nuk e ka zbatuar urdhrin e zyrtarëve policorë për të mos e vendosur atë
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, është deklaruar i pafajshëm të mërkurën për veprën kundërvajtëse “Mospërfillje e urdhrave të ligjshëm”.
Radojeviq është i akuzuar se më 6 janar të këtij viti e ka vendosur një baner dhe me këtë rast është hasur nga Policia e Kosovës. Zyrtarët policorë e patën urdhëruar që të mos e bëjë një veprim të tillë, porse Radojeviq nuk e ka përfillur urdhrin e tyre.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoLidhur me këtë, i pandehuri Radojeviq është deklaruar i pafajshëm në seancën e zhvilluar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
“Ndihem i pafajshëm. Vendimi është marrë në bazë të kërkesës së subjektit politik Lista Serbe, për vendosjen e banerit, për festën e Krishtlindjeve, i cili baner ka qenë me përshëndetje fetare të Krishtlindjes, të cilën ne e përdorim ‘Paqja e zotit, Krishti u lind’”, ka theksuar ai.
Për këtë rast, para Gjykatës Themelore në Mitrovicë janë deklaruar edhe zyrtarët policorë.
Polici Tahir Bekteshi ka deklaruar se nga struktura komanduese i është kërkuar që baneri me logo të Listës Serbe të mos vendosej.
“Kur kam vazhduar në lokacion, në fillim të sheshit, jam takuar me të pandehurin dhe disa persona të tjerë. Të njëjtit, i kam njoftuar në lidhje me banerin e tyre, se është urdhër të mos vendoset, dhe të largohet. Pas kësaj, të njëjtit kanë refuzuar një gjë të tillë, dhe unë i kam treguar se duhet të pritet një urdhër tjetër nga hierarkia komanduese e imja, dhe më pas të vazhdohet sipas atyre urdhrave. Pas kësaj, unë kam njoftuar komandantin e stacionit për këtë, dhe gjithashtu edhe dy njësi policore të jenë prezentë aty, për shkak se mund të ndodhë ndonjë incident apo të përshkallëzohet situata”, ka thënë Bekteshi.
Ai ka theksuar po ashtu që me gjithë insistimin që baneri të mos vendosej, i pandehur nuk ka pranuar që t’i zbatojë urdhrat. Bekteshi ka treguar gjithashtu se kanë qenë dy banerë, njëri prej të cilëve ka pasur motive politike.
“Fillimisht kanë pasë një baner tjetër me motive politike dhe kjo e ka kontestuar pastaj vendosjen e banerit…. Kjo do të thotë e gjitha, vendosja e sloganit e partisë politike, Lista Serbe”, është shprehur ai.
E zyrtari tjetër policor, Ardin Kërça, gjatë dëshmisë së tij para Gjykatës ka theksuar se kolegu i tij Bekteshi ka kërkuar nga ai që gjobën për kundërvajtje ta shkruajë në gjuhën serbe.
Gjatë seancës, mbrojtja e të pandehurit ka kërkuar që Radojeviqi të lirohet nga vepra për të cilën ngarkohet.
Sipas Policisë, vendosja e banerit është kundërshtuar për faktin se krahas thirrjeve fetare ka përmbajtur edhe ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe mbishkrimin “Lista Serbe”.