Policia u ka shqiptuar gjobë për kundërvajtje për vandalizëm, kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal, pasi ngjyrosën mbishkrimin “E DUA MITROVICËN”. Sipas Policisë, edhe pse zyrtarët kanë urdhëruar që të ndalohet dëmtimi i objektit publik, ata kanë filluar ta ngjyrosin.
Kundërvajtje për vandalizëm u ka shqiptuar Policia, kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal, Ivan Zaporozhac.
Që të dy u shoqëruan në Polici, pasi e ngjyrosën me ngjyrë mbishkrimin “E DUA MITROVICËN”, i vendosur në mandatin e mëparshëm kur komuna me shumicë serbe u drejtua nga Eden Atiq, i cili fitoi garën në zgjedhjet që i bojkotoi Lista Serbe.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPolicia njoftoi se të premten ka pranuar vendimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, për largimin e këtij mbishkrimi, që ndodhet në rrethrrotullimin e Mitrovicës së Veriut.
“Në vend të ngjarjes menjëherë kanë dalë njësitet policore, si dhe sipas procedurave të parapara ligjore, janë njoftuar inspektorët komunalë, që vendimi në fjalë duhet të shtyhet deri sa të pranohet vendimi nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Në vendin e ngjarjes, ka ardhur kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut bashkë me kryesuesin e kuvendit komunal dhe me rreth njëzetë persona të tjerë. Kryetari pasi është deklaruar për mediat, u është drejtuar zyrtarëve policorë me fjalët: ‘tani do ta ngjyrosim me ngjyrë emblemën’”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, edhe pse zyrtarët kanë urdhëruar që të ndalohet dëmtimi i objektit publik, ata kanë filluar ta ngjyrosin, me ç’rast ka intervenuar policia dhe ka shoqëruar ata në stacionin policor.
E pas lirimit, kryetari Radojeviq tha se largimi i këtij mbishkrimi është i ligjshëm.
“Siç keni parë, kemi marrë një vendim të ligjshëm për të hequr atë shenjë. Ekziston madje një firmë e angazhuar nga komuna. Gjithçka është e qartë dhe e rregulluar. Nuk ekziston Mitrovica si e përbashkët. Ekziston Komuna e Mitrovicës së Veriut dhe Komuna e Mitrovicës së Jugut”, ka thënë ai.
Mbishkrimi “Unë e dua Mitrovicën” është vendosur më 2 tetor të vitit të kaluar, pasi ishte larguar mbishkrimi i mëparshëm në alfabetin cirilik “Ja volim Kosovsku Mitrovicu”.
Mbishkrimi aktual në alfabet latin, mban një zemër të gjelbër dhe stemë të re komunale, si përfaqësim i qytetit të “minatorëve”.