Përfaqësues të komunave në veri, të cilëve u përfundon mandati me rikthimin e Listës Serbe në ato komuna, kanë shprehur shqetësime se ka tendenca që shumë vendime që janë marrë në dy vjetët e fundit, do t’i kthejë mbrapsht Lista Serbe. Në dy vjetët e fundit, pushtetit lokal në bashkëpunim me atë qendror ka mbyllur shumë zyra e shërbime që janë ofruar nga Beogradi zyrtar
Vendimet që janë marrë nga kryetarët shqiptarë dhe nga kuvendet komunale në veri duhet të mbesin, kanë thënë përfaqësues të këtyre komunave, të cilët pas rikthimit të Listës Serbe do të duhet t’i lirojnë zyrat.
Ata kanë paralajmëruar se ka tendenca dhe premtime që janë dhënë edhe gjatë fushatës zgjedhore nga Lista Serbe për rikthimin e shumë vendimeve. Mitrovica e Veriut është ndër komunat që ka nxjerrë shumë të tilla e që kanë hasur në kundërshtim të Listës Serbe. Ndër të fundit është vendimi për emërtimet e reja të rrugëve në veri.
“Po sigurisht, ata veç po paralajmërojnë që sidomos do të merren me vendimet e Kuvendit Komunal, por ne ato vendime i kemi nxjerrë në përputhje me ligjshmërinë e vetëqeverisjes lokale, sepse çdo vendim, po të mos ishte në përputhje me ligjin për vetëqeverisje lokale, sigurisht që as Ministria e Pushteti Lokal nuk do t’i lejonte. Ne kur kemi ardhur në komunë, faktikisht s'kemi gjetur asnjë vendim, asnjë rregullore, sepse faktikisht ka qenë një lloj anarkie në komunë. Në bashkëpunim me Ministrinë e Pushteti Lokal, ne si Kuvend, kemi pasur për obligim detyrën që rregulloret dhe të gjitha vendimet që janë marrë, të jenë në përputhje me ligjshmërinë”, ka thënë Nexhat Ugljanin, i cili është kryesues i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut.
Gjatë qeverisjes aktuale në Mitrovicën e Veriut, ndryshime ka pasur edhe në sheshin qendror të kësaj komune, ku shumë zyra që kanë operuar në bazë të sistemit paralel të Serbisë, tashmë janë mbyllur dhe janë hapur biznese që drejtohen edhe nga shqiptarët.
Në bashkëpunim me nivelin qendror, në Mitrovicë të Veriut gjatë dy vjetëve të fundit janë mbyllur shumë zyra dhe shërbime që janë ofruar nga Beogradi zyrtar. Është ndaluar përdorimi i dinarit serb, janë mbyllur degë bankare dhe postare të Serbisë, në vend të të cilave tani shërbimet ofrohen nga institucione të Kosovës.
“Sigurisht se do të ketë përpjekje nga Lista Sërpska, ka paralajmërime edhe në kuadër të kampanjës zgjedhore i kanë përmendë vendimet e rëndësishme që janë marrë për pjesën veriore. Por ato janë të rëndësishme për qytetarët dhe ne, si të zgjedhur në kuadër të Kuvendit, i kemi përfaqësuar të gjitha komunitetet, pa dallime etnike. Po ashtu ligjet dhe rregulloret, nuk janë nxjerrë në baza etnike, por në bazë të ligjshmërisë”, ka theksuar Ugljanin.
Edhe kryetari i komunës fqinje të Mitrovicës së Veriut, ai në Zveçan, Ilir Peci, ka theksuar se përgjatë kësaj periudhe janë miratuar me mijëra vendime dhe rregullore të reja.
“Këtu është një diferencë shumë e madhe, ne e dimë të gjithë kur e kam marrë unë detyrën si kryetar komune nuk kemi gjetur asnjë dokumentacion këtu dhe për këtë unë e kam ndërmend në mënyrë ligjore të dorëzoj zyrtarisht gjithçka sipas ligjit të Republikës së Kosovës, detyrën dhe të gjitha dokumentacionet në të cilët kemi arritur të punojmë, që dy vite e disa muaj”, ka thënë Peci.
Ai ka shprehur gatishmëri që ta bëjë dorëzimin e detyrës tek kryetari i zgjedhur serb, Dragisha Milloviq, porse sipas informacioneve që i ka, ka thënë se nuk do të pranojë ta bëjë një gjë të tillë.
Sipas Pecit, edhe në Zveçan mund të ketë tendenca që të kthehen mbrapsht shumë vendime, duke u nisur nga largimi i simboleve të Kosovës të cilat gjenden tashmë në zyrë e tij.
“Në asamble e dimë se janë përafërsisht trembëdhjetë ose katërmbëdhjetë asamblistë të Listës Serbe, gjithsej janë pesëmbëdhjetë asamblistë në asamblenë e komunës, mundem me marrë vendime, por nëse nuk janë aprovon Ministria e Pushtetit Lokal, pra ato bien poshtë. Unë e besoj se kanë për të tentuar, sidomos te pjesa e punësimit të zyrtarëve, ku përafërsisht janë rreth 103 të punësuar. Unë besoj se kanë për të tentuar edhe në ndërhyrje të rregulloreve, të cilat i kemi nxjerrë na si Kuvend”, ka potencuar ai.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Lista Serbe e ka ruajtur dominimin në komunat me shumicë serbe, porse rezultatet kanë treguar që kjo parti e ka një rënie të ndjeshme të mbështetjes krahasuar me vitin 2021.
Kjo parti ka fituar pa balotazh dhe do ta ketë shumicën në kuvendet komunale në Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.
Me urdhër të Beogradit zyrtar, në nëntor të 2022-tës Lista Serbe u pati larguar nga institucionet e Kosovës, duke bërë që për më shumë se dy vjet komunat në veri të udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë.