Rikthimi i Listës Serbe në komunat veriore të Kosovës ka ngritur dilema për mënyrën se si do të realizohet tranzicioni i pushtetit nga kryetarët shqiptarë tek ata të zgjedhur. Kryetarë aktualë të këtyre komunave kanë përmendur dokumente të ndjeshme dhe vendime administrative të marra gjatë dy vjetëve të fundit nga administratat shqiptare, për të cilat shprehin drojë se mund të keqpërdoren. Ata presin udhëzime nga qeveria se si të veprojnë me dokumentacionin e ndjeshëm komunal para se t’ua dorëzojnë detyrën kryetarëve serbë
Përfaqësues shqiptarë, që deri tash kanë udhëhequr në komunat veriore të banuara kryesisht me serbë, janë në pritje të udhëzimeve nga qeveria se si të veprohet me vendimet dhe dokumentet e ndjeshme që i kanë nxjerrë, pasi t’u dorëzohet pushteti kandidatëve të Listës Serbe që fituan garën në zgjedhjet e fundit lokale.
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, e ka përmendur edhe mundësinë e largimit të dokumenteve nga objekti komunal, nëse nuk ka pranim-dorëzim zyrtar të detyrës, të cilën, sipas tij, Lista Serbe ka paralajmëruar se do ta refuzojë.
“Unë me dëshirën time, asnjëherë nuk ia lë dokumentacionin në dorën atij pa u bërë pranim-dorëzimi. Mirëpo, nëse Qeveria e Republikës së Kosovës veç merr vendim edhe me ia lënë, pra do të respektojmë ligjet e Republikës së Kosovës. Mirëpo nuk e kemi marrë ndonjë vendim përfundimisht. Unë besoj se të gjithë katër kryetarët e komunave të veriut, është mirë me e marrë një vendim, jo një kryetar të veprojë ndryshe”, ka thënë Peci.
Sipas tij, ka dokumente të ndjeshme, të cilat mund të keqpërdoren nga kryetarët e rikthyer të Listës Serbe.
“Po janë dokumentet e ndjeshme. Do të thotë, brenda kësaj kohe ne kemi marrë 1,500 vendime vetëm të miat si kryetar komune, e diku përafërsisht 2,300 vendime mund të jenë në total, plus nëpër çdo drejtori ka dokumentacion, ku përfshihen procedura tenderimi, ka të pranimit të zyrtarëve, ka dokumentacion të ndryshëm. Unë nuk besoj se është shumë e lehtë me u bë dorëzimi i afërsisht 6 mijë vendimeve, të cilat i ka marrë Komuna e Zveçanit në atë mënyrë, pasi mund të tentohet të përmbysin ose të rikthejnë ato vendime që lidhen edhe me zhvillimin komunal”, ka thënë ai.
E kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, ka theksuar të mërkurën se udhëzimet pritet t’i marrin pas përfundimit të balotazhit, tek i përmendi paralajmërimet e Listës Serbe për rikthim të shumë vendimeve.
“Prej atyre që kanë qeverisur s’kemi pranuar asgjë. E drejta ime është me e pranu dorëzimin ose jo. Pra qysh e kanë lënë ata detyrën, mundem ashtu edhe unë me vepru. Por të gjitha vendimet e rregulloret që janë të rëndësishme, përmes komisionit të Kuvendit do t’i dorëzohen sekretariatit të Kuvendit. Po ashtu çdo vendim që e kemi nxjerrë e ka edhe Ministria. Ata (Lista Serbe v.j.) sipas deklaratave publike që i kanë dhënë të gjitha vendimet, do t’i rrëzojnë përmes Kuvendit. S’e di si po mendojnë ta bëjnë këtë, por besoj se Ministria do t’i ketë përgjigjet adekuate, sidomos për Kuvendin Komunal që është i autorizuar për vendime. Do të provojnë, por nuk mund të kthehet situata në anarki siç janë mësuar. Të njëjtit që kanë dhënë dorëheqje, janë rikthyer prapë, edhe kryetari, edhe delegatët e Kuvendit. Ata e dinë se si udhëhiqet komuna, por në anarki dhe në bashkëpunim me krimin”, ka potencuar Ugljanin.
Gjatë qeverisjes aktuale në Mitrovicën e Veriut, ndryshime ka pasur edhe në sheshin qendror të kësaj komune, ku shumë zyra që operonin në bazë të sistemit paralel të Serbisë, tashmë janë mbyllur dhe janë hapur biznese që drejtohen edhe nga shqiptarët.
Në bashkëpunim me nivelin qendror, Mitrovica e Veriut në dy vjetët e fundit ka mbyllur shumë zyra e shërbime që ofroheshin nga Beogradi zyrtar. Është ndalur dinari, janë mbyllur degë bankare e postare të Serbisë, në vend të të cilave tani shërbimet ofrohen nga institucione të Kosovës.
E ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë shkurt përmes telefonit se gjithçka është paraparë me ligje dhe me udhëzime administrative, tek kërkoi që t’u dërgohen pyetje me shkrim për sqarime lidhur me dokumentacionin e këtyre komunave.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Lista Serbe e ka ruajtur dominimin në komunat me shumicë serbe duke fituar pa balotazh dhe do të jenë shumicë në kuvendet komunale në Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut e Zubin-Potok.
Me urdhër të Beogradit zyrtar, në nëntor të 2022-tës Lista Serbe qe larguar nga institucionet e Kosovës duke bërë që për rreth tre vjet komunat në veri të udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë.