Dikur e shfrytëzonin për argëtim. Por lodrat janë mbuluar nga shkurret. Në një gjendje të tillë kanë mbetur të gjitha lodrat në fillim të Parkut të Taukbahçes, e të cilat ka shumë vjet që nuk funksionojnë.
Para 8 vjetëve, Komuna e Prishtinës sa ishte nën qeverisjen e Shpend Ahmetit kishte ndaluar operimin e tyre, duke mos u dhënë leje, porse ato nuk u larguan asnjëherë.
Kryetari Përparim Rama, ka ndërmarrë këtë hap, duke bërë pastrimin e lodrave të cilat ndër vite janë vjetruar, për t’ia rikthyer këtë hapësirë “Taukbahçes”.
Por Rama thotë se nuk kanë vendosur ende se për çfarë do të shfrytëzohet kjo hapësirë.
“Do të ridizajnohet. Ka pasur planifikime për fusha të tenisit, por ne do t’i rishikojmë dhe do të shohim cili është dizajni më i mirë për atë vend sepse është hyrja e ‘Taukbahçes’”, ka thënë ai.
Të gjitha këto po largohen nga ky vend dhe po dërgohen në hapësirat e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, aty ku dërgohen edhe veturat e konfiskuara.
Por ka qytetarë që mendojnë se disa nga këto lodra nuk ka nevojë të hidhen, por mund të ruhen dhe të shfrytëzohen për këndet e tjera të lodrave në Prishtinë.
Qytetarët e tjerë e mirëpresin largimin e tyre, duke thënë se duhet të krijohen më shumë hapësira të reja për fëmijët.
Pasi të përfundojë largimi i tyre, do të nisë edhe largimi i lodrave të ngjashme afër oborrit të QKUK-së.