Arbëri

KOSTT-i paralajmëron reduktime të rrymës

Rryma

Foto: Driton Paçarada

Kompania Operatore e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka thënë se si rezultat i nominimeve të pamjaftueshme të energjisë elektrike nga KESCO për mbulimin e nevojave të konsumit, sot dhe nesër Zona e Kontrollit e KOSTT-it po operon me jo-balanca të mëdha dhe të vazhdueshme, të cilat në orë të caktuara tejkalojnë mbi 200 megavat. Për pasojë, ka paralajmëruar reduktime. 

Në një njoftim në rrjetet sociale, KOSTT-i ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilizimin e sistemit elektroenergjetik, përfshirë aktivizimin e shërbimeve ndihmëse të balancimit dhe organizimin e ankandeve brendaditore. Megjithatë, sipas kompanisë, për shkak të diferencës shumë të madhe ndërmjet energjisë së nominuar dhe konsumit real, këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme për të eliminuar plotësisht jo-balancat.

Në njoftim thuhet se këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian dhe po rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit, duke mundur të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E.

Në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit, KOSTT-i ka paralajmëruar se është i detyruar të aplikojë kufizime të ngarkesës, respektivisht reduktime të energjisë elektrike, sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative.

KOSTT-i ka theksuar se me përmirësimin e situatës dhe stabilizimin e balancimit, do të ndërmerren menjëherë veprimet e nevojshme për normalizimin e furnizimit me energji elektrike.

Njoftimi: