Disa orë pas paralajmërimit të KOSTT-it, në qytete të ndryshme ka nisur reduktimi i rrymës.
Të martën, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) raportoi se është i detyruar të aplikojë reduktime të rrymës për shkak të mbingarkesës së rrjetit energjetik. Sipas KOSTT, janë detyruar të kufizojnë ngarkesën për të ruajtur sigurinë e sistemit.
Si pasojë, disa lagje në kryeqytet për më shumë se një orë kanë mbetur pa rrymë. Ngjashëm ka ndodhur edhe në Fushë-Kosovë.
Sipas njoftimit, gjatë ditës së sotme (13 janar) dhe nesër (14 janar), Zona e Kontrollit e KOSTT-it po operon me jo-bilanca të mëdha dhe të vazhdueshme, të cilat në orë të caktuara tejkalojnë mbi 200 megavatë.
KOSTT ka bërë të ditur se, në përputhje me përgjegjësitë e tij si operator i sistemit dhe tregut, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilizimin e sistemit, përfshirë aktivizimin e shërbimeve ndihmëse të balancimit dhe organizimin e ankandeve brendaditore. Megjithatë, për shkak të dallimit të madh ndërmjet nominimeve të deklaruara dhe konsumit real, këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme për të eliminuar jo-bilancat e krijuara.
Sipas KOSTT-it, këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, duke rritur rrezikun për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe duke mundësuar pasoja serioze, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikimin e Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E.
Në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit dhe mbrojtjen e integritetit të rrjetit, KOSTT ka theksuar se do të aplikojë kufizime të ngarkesës sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative.
Institucioni ka shtuar se me përmirësimin e situatës dhe stabilizimin e balancimit të sistemit, do të ndërmerren menjëherë veprimet e nevojshme për rikthimin e operimit normal.