Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Padi kundër Ministrisë së Bujqësisë, AUV-it dhe Komunës së Prishtinës për mostrajtim të qenve endacakë

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka ngritur padi për mosveprim lidhur me qentë endacakë ndaj Ministrisë së Bujqësisë, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe komunës së Prishtinës.

Donika Çeta - eksperte ligjore e GLPS-së, ka thënë në “60 Minuta” në KTV të mërkurën, se me këtë padi synojnë që t’i nxisin organet shtetërore ta trajtojnë problemin e qenve endacakë dhe t’i marrin masat e duhura për ta eliminuar problemin.

“Në rastin e sulmit të qenve endacakë ndaj qytetarëve kemi gjetur disa shkelje. E para është mosmiratimi i udhëzimit administrativ me të cilin do të përcaktohej mënyra e licencimit dhe rregullimit të rezervateve dhe vendstrehimeve të kafshëve edhe pa pronarë. Kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Bujqësisë. Po ashtu moszbatimi i udhëzimit administrativ për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve shoqëruese nga ana e AUV-it me të cilin do të nxitej një pronësi e përgjegjshme. Shkelja tjetër është moszbatimi i ligjit për veterinarinë ku përcaktohen veprimet që duhet t’i ndërmarrë komuna në këtë rast”, ka thënë Çeta.

Sipas saj, bazë e padisë janë dy sulme të qenve endacakë ndaj dy qytetareve të Prishtinës.

“Qendra për raste gjyqësore strategjike ka qëllim që përmes rasteve individuale të krijojë precedentë, të promovojë të drejtat e njeriut dhe të nxisë ndryshime aty ku është e nevojshme. Kemi për mision që të forcojmë sundimin e ligjit përmes procesit strategjik gjyqësor”, ka thënë ajo.

Muajve të fundit në Kosovë, e kryesisht në Prishtinë, janë shënuar shumë raste kur qytetarët janë përballur me sulme të qenve endacakë. Shumë prej tyre kanë përfunduar në QKUK për trajtim, për shkak të lëndimeve të mëdha që kanë pësuar.