Prania e numrit të madh të qenve endacakë në hapësira publike po konsiderohet e rrezikshme për sigurinë e qytetarëve. Komuna e Prishtinës ka nisur së fundi një iniciativë për trajtimin e disa prej tyre me qëllim të zgjidhjes së problematikës. Porse iniciativa, si e vetme, nuk po shihet si mënyrë për çrrënjosjen e problemit
Në kuadër të saj ata do të vaksinohen, kastrohen dhe strehohen me qëllim të menaxhimit të problemit me numrin e lartë të qenve endacakë në kryeqytet.
E prania e shtuar e tyre përbën shqetësim për qytetarët.
“Është dashtë me i nguju dikun e me i hjek, mos me i lanë, i tranun fminë e gra. E qiti një ditë një në televizion krejt ftyren ja kish prishë, keq, keq si mos me pasë shtet, katastrof”, ka deklaruar Halit Saraqi, qytetar i Prishtinës.
Vetëm gjatë janarit, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë trajtim kanë kërkuar një sërë qytetarësh të sulmuar prej tyre.
“Në qoftë se nuk ofrohet mbrojtja antitetanike ose në raste kur qentë endacakë kanë qenë të infektuar me virusin e tërbimit, në ato raste dinë me qenë ma serioze dhe me pasë komplikime, mirëpo në rastet të cilat i kemi hasë në qendrën tonë kryesisht kanë qenë vetëm plagë të thjeshta, të cilat janë trajtuar me sukses”, ka thënë mjekja në QKMF-në kryesore në Prishtinë, Vesa Gashi.
Edhe
46 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë në Prishtinë
Shefki Ajdini, drejtori i kompanisë “Veterina”, që është kontraktuar nga Komuna, thotë se nisma, si e vetme, nuk çon drejt zgjidhjes së problemit.
“Efektive dhe e suksesshme mundemi me thanë pjesërisht, se zgjidhjen e problemit nuk mundemi me zgjidh me këta, po sigurisht se bjen numri i qenve, nuk rritet. Por përfundimtare jo, duhet të bëhet edhe identifikimi i qenve me pronarë për t’u zvogëluar numri i qenve endacakë”, u shpreh Ajdini.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se e ka për prioritet të qeverisjes pikërisht këtë çështje. E nënkryetari Alban Zogaj thotë se po shqyrtohen edhe alternativa të tjera.
“Kjo çështje rregullohet duke ndërtuar një strehimore të madhe për qentë endacakë, e cila do të jetë diku në periferi të Prishtinës, ku do të merren qentë dhe pastaj atje trajtohen”, ka thënë Zogaj.
Mbështetje për gjetjen e zgjidhjes ka ofruar këtë javë edhe kryeministri Albin Kurti.
Përderisa nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se gjendja aktuale është rezultat i mosinteresimit nga disa komuna.
Edhe
Qytetarët thonë se ndihen të rrezikuar nga qentë endacakë në kryeqytet
“Tek disa komuna nuk kemi gjet interesim aktivë për t’u marrë me problematikën dhe duke ditë se qentë endacakë nuk njohin territore, ato lëvizin në vazhdimësi nga komuna në komunë. Dhe kemi ardhur deri në një shtim enorm i numri të qenve endacakë në RKS”, deklaroi Lamir Thaçi nga AUV.
Sipas të dhënave të Policisë, gjatë vitit 2020 kanë ndodhur rreth 28 sulme nga qentë endacakë e 8 nga qentë me pronarë.