Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve të premten ka zhvilluar një protestë në Prishtinë siç është thënë kundër keqmenaxhimit të parasë publike dhe qasjes së paligjshme të Komunës së Prishtinës ndaj trajtimit të qenve endacakë.
“Drejtësi për qentë, ndal mizoritë” e “Abuzim ndaj qenve dhe keqpërdorim i parasë publike”, kanë qenë disa nga pankartat që aktivistë të këtij fondacioni i kanë mbajtur në duar.
Ata kanë kërkuar transparencë lidhur me trajtimin e qenve në strehimoren e qenve në kryeqytet.
Më 9 qershor Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka publikuar një video që thuhet se është realizuar në të strehimores publike të qenve në komunën e Prishtinës, në të cilën një person shihet duke e goditur një qen.
Fondacioni e ka quajtur videon shqetësuese dhe ky incident sipas tyre nuk është një rast i izoluar.
Bajram Gecaj, këshilltar i kryetarit të Komunës së Prishtinës, i ka thënë KOHËS se personi që e ka sulmuar qenin është larguar nga kompania private e sigurimit ku po punonte, me kërkesën e përgjegjësve nga kryeqyteti.