Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryeqyteti s’e kompenson 76-vjeçaren që u sulmua nga katër qen endacakë

Ilmije Gjikolli

Sulmimi nga qentë endacakë mbetet rrezik për qytetarët e Prishtinës. Ilmie Gjikolli, thotë se është sulmuar nga katër qenë dhe ka kërkuar kompensim nga Komuna e Prishtinës, por siç thotë ajo, ankesa është refuzuar. E, sivjet janë paraqitur në Polici 47 raste që kanë të bëjnë me sulme nga qentë endacakë në Komunën e Prishtinës

Tre muaj më parë, teksa po kalonte në një lagje afër magjistrales Prishtinë-Ferizaj, Ilmije Gjikolli ishte sulmuar nga qentë endacakë. Gjikolli thotë se ka marrë trajtimin në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) ku dhe ishte shtrirë, dhe se ende i duhet të ndjekë kontrolle mjekësore, sepse ka dhimbje nëpër trup.

“Isha duke shkuar, axha Nesim vdiq, isha afër shtëpisë gati me hy brenda. Unë nuk i kam parë as nuk i kam dëgjuar. Unë mendova që kam shkelë në diçka edhe jam rrëzu, e ata më kanë hipur sipër, katër qenë kanë qenë. Edhe nuk kam ditë, mendova që u rrëzova, dhe kur më ka kap qeni në këmbë, kur e kam kthy kokën katër kishin qenë ata”, tregon ajo.

76-vjeçarja thotë se plagët po i shkaktojnë probleme shëndetësore, duke e vështirësuar jetën e saj të përditshme.

“Kurrë nuk kam mundur me flejtë, pasi që më kanë sulmuar qentë. Kurrë nuk mundem me flejtë. Duhet me pijë këtë (medikament v.j.), ndoshta mundem me flejtë. Me ecë, eci ngapak, por e kam problem, si me ecë duke çalu”, është ankuar Gjikolli.

E bashkëshorti i saj, Ismajl Gjikolli, thotë se do t’i drejtohet gjykatës, sepse siç pretendon ai, ankesa për kompensim me para nga Komuna, i është refuzuar dy herë.

Edhe Rreziku nga qentë endacakë – mbi 15 sulme në muaj vetëm në Prishtinë Arbëri 2 muaj më parë Rreziku nga qentë endacakë – mbi 15 sulme në muaj vetëm në Prishtinë

Gjikolli thotë se ankesa e tyre është adresuar nga shoqata e pensionistëve.

“Jam shku m’u anku. Shumë mirë më kanë pritë në nivelin më të lartë. Iia kanë shkruar ankesën. E kam dorëzu. Shkova me kërku nëse e kanë shqyrtu. Më thanë: ta kanë refuzuar ankesën”, thotë ai. “Kanë me u përgjigj para gjyqit”.

E sipas Policisë për rajonin e Prishtinës, deri tash gjatë këtij viti janë regjistruar 47 raste të qytetarëve të sulmuar nga qentë në Prishtinë.

“Në Drejtorinë e Policisë së Kryeqytetit, gjatë këtij viti janë paraqitur 47 raste që kanë të bëjnë me sulme nga qentë endacakë. Kurse për rastet janë informuar edhe institucionet relevante”, thuhet në një përgjigje të Policisë.

KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës lidhur me masat që do të ndërmerren për zgjidhjen e këtij problemi, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa sa i përket numrit dhe trajtimit të pacientëve të prekur nga sulmet e qenve endacakë, QKUK-ja nuk ka dhënë përgjigje.

Edhe Shkoi ta vizitojë nënën e sëmurë në QKUK, përfundon si pacient nga kafshimi i qenve endacakë Arbëri 2 muaj më parë Shkoi ta vizitojë nënën e sëmurë në QKUK, përfundon si pacient nga kafshimi i qenve endacakë

Deri tash janë ndërmarrë disa aksione e janë aplikuar një numër politikash për qentë endacakë, por zgjidhje ende nuk është bërë.

Rezana Bozhlani