Yllka Asimi ditën e nis me ushqyerjen e qenve që qëndrojnë para objektit të Radio Kosovës.
Kujdesi për qentë e rrugës është rutinë e saj tash e shumë kohë.
Kjo gjë është e dyta në rutinën e saj pasi që fillimisht ajo ka ushqyer e shëtitur në mëngjes qentë e saj.
Në Prishtinë, ku përditë shihen dhjetëra qen endacakë nëpër rrugë, Yllka ka vendosur që të mos i kthejë sytë anash.
Ajo është dashamirëse e qenve dhe aktiviste për të drejtat e kafshëve, prej vitesh kujdeset për qentë e braktisur, duke i ushqyer, strehuar dhe shpesh duke iu gjetur një shtëpi të re.
“Këtë punë e bëj prej dëshirës më të madhe. Këtë angazhim timin as nuk do ta quaja punë, sepse e bëj me kënaqësinë më të madhe. Secilin njeri është dashur që ta përmbushë sado pak një ndjenjë bamirësie. Arsyeja kryesore që unë e kam këtë angazhim me kafshët është pikërisht duke e parë empatinë e paktë që e kanë njerëzit për kafshët, kjo më ka shty që unë këtë ta bëj edhe për 100 njerëz të tjerë”, thekson Asimi.
Ajo është e njohur në komunitet për përkujdesjen e vazhdueshme, duke shpenzuar nga të ardhurat e saj për ushqim dhe barna, edhe pse thotë që ushqimi për qen nuk kushton shumë.
“Unë përjetoj trauma prej pamjeve që i shoh nga trajtimi që iu bëhet kafshëve në Kosovë. I nxitin me i ngrënë kafshët e tjera, sepse janë të uritur, i ndajnë të voglit nga nënat e tyre, i shkelin veturat. Kjo nuk është zgjidhje e problemit. Sa i përket ushqyerjes së tyre, është e njëjtë me atë të njerëzve, nëse dëshiron të ushqehesh shëndetshëm, kushton më shtrenjtë. Mirëpo kjo rutinë është e kushtueshme për ne që ushqejmë edhe qen të tjerë në rrugë”, thotë Asimi.
Yllka na mëson edhe si të mbrohemi nga sulmi eventual i qenve.
“Ka pasur raste kur unë kam qenë duke e ushqyer qenin dhe dikush nga prapa ka hedhur gurë mbi qenin. Qentë nuk sulmojnë pa arsye, e ndiejnë frikën e njerëzve, disa të tjerë bëjnë edhe drama kinse frikësohen. Nuk duhet vrapuar kur ndiqeni nga një qen, ata janë të pirur që të bëjnë gara shpejtësie dhe kur shohin që po vrapon, të ndjekin”, shton ajo.
Paragjykimet për të nuk kanë munguar në një shoqëri si ajo kosovare, që nuk shquhet për dashuri dhe kujdes ndaj kafshëve, sidomos tek ato të rrugës.
“Shpeshherë ne përballemi me paragjykime edhe fjalë të ulëta. Mirëpo nuk kanë ndikim tek unë, ne bëjmë thirrje për protesta dhe cilësohemi të çmendur. Kjo është mungesë e pastër informimi.
Paragjykime ka shumë, vëmendje nga unë ka zero. Unë e bëj vetëm që unë të ndihem mirë”, thotë Asimi.
Yllka e hedh barrën e fajësisë edhe mbi institucionet dhe komunën e Prishtinës për moskujdes dhe trajtim joadekuat për qentë e rrugës.