Arbëri

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve publikon videon ku një qen shihet duke u keqtrajtuar në strehimore

Strehimorja e qenve

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka publikuara një video që thuhet se është realizuar në të strehimores publike të qenve në komunën e Prishtinës, në të cilën një peron shihet duke e goditur një qen. 

Fondacioni e ka quajtur videon shqetësuese dhe ky incident nuk është një rast i izoluar.

Bajram Gecaj, këshilltar i kryetarit të Komunës së Prishtinës, i ka thënë KOHËS se personi që e ka sulmuar qenin është larguar nga kompania private e sigurimit ku po punonte, me kërkesën e përgjegjësve nga kryeqyteti.

"Personi në fjalë ka qenë i angazhuar përmes kompanisë private të sigurimit dhe nuk është kërkuar nga ai fare të merret me qentë. Personi tanimë ështe larguar nga kompania në fjalë me kërkesën e përgjegjësve nga kryeqyteti", ka thënë ai.

“Në video, punëtori shihet duke shkelmuar dhunshëm qenin dhe duke e trajtuar kafshën e tmerruar me një egërsi tronditëse. Nuk ka asnjë arsyetim për këtë lloj abuzimi. Ky veprim është mizor, i paligjshëm dhe absolutisht i papranueshëm. Ky incident nuk është një rast i izoluar, por një simptomë e qartë e një problemi më të thellë dhe sistematik brenda qasjes së Komunës së Prishtinës ndaj mirëqenies së kafshëve. Për vite me radhë, zyrtarët komunalë kanë bërë deklarata publike duke pretenduar se janë të përkushtuar ndaj trajtimit human të kafshëve endacake dhe se respektojnë mirëqenien e kafshëve”, thuhet në reagim.

VIDEO:

Tutje në reagim thuhet se veprimet e tyre vazhdojnë të jenë në kundërshtim me premtimet. 

“Komuna ka dështuar vazhdimisht në respektimin e dispozitave ligjore në fuqi për trajtimin dhe kujdesin e kafshëve, veçanërisht Ligjin Nr. 02/L-10 për Mirëqenien e Kafshëve dhe Udhëzimin Administrativ për strehimoret e kafshëve shoqëruese. Ajo që është edhe më alarmante është se Komuna e Prishtinës qëllimisht ka ndërhyrë në përgjegjësitë e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Në vend që të ndjekin procedurat e kërkuara ligjërisht për të krijuar një strehimore funksionale dhe të ligjshme për kafshët, ata kanë zgjedhur t'i anashkalojnë tërësisht këto kërkesa duke miratuar pa procesverbale zyrtare strehimore të paligjshme që nuk përmbushin as standardet minimale (nën pretekstin e subvencionimit të adoptimit). Këtë fakt e ka konfirmuar shprehimisht edhe vetë AUV gjatë inspektimeve, e cila ka deklaruar se objekteve u mungojnë kushtet e nevojshme për të funksionuar si strehimore legjitime për qentë”, thuhet në reagim

Tutje thuhet se Komuna e ka përjashtuar sistematikisht shoqërinë civile nga ky proces. “Ata kanë injoruar këshillat e organizatave me përvojë në menaxhimin e qenve dhe kafshëve të pastreha, dhe në vend të kësaj kanë zgjedhur një rrugë të fshehtësisë, paligjshmërisë dhe brutalitetit për të hequr qentë nga rrugët - pa qëndrueshmëri, transparencë, mbikëqyrje ose dhembshuri. Ky nuk është trajtim human dhe garantim i mirëqenies së kafshëve. Ky është abuzim me kafshë dhe ne nuk do të heshtim”, thuhet në reagim. 

Tutje thuhet se Fondacioni është duke përgatitur një kallëzim penal ndaj individit të shfaqur në video.

“Për më tepër, ne po shqyrtojmë edhe opsione tjera ligjore për ta shtrirë këtë ankesë edhe tek zyrtarët komunalë të cilët janë bashkëfajtorë në këtë mizori, për keqpërdorim të kafshëve, neglizhencë dhe qeverisje të paligjshme. Kjo nuk mund dhe nuk do të injorohet. Kërkojmë llogaridhënie. Kërkojmë drejtësi për kafshët që vuajnë pas dyerve të mbyllura, të fshehura nga sytë e publikut por jo nga e vërteta”, thuhet në reagim.

Komuna e Prishtinës ka deklaruar se e konsideron të papranueshëm dhe të dënueshëm secilin akt dhune, duke shtuar se punonjësi i kompanisë së sigurisë fizike është larguar nga kompania.

Komuna i ka ftuar qytetarët që të vazhdojnë t’i raportojnë rastet e tilla.

“Në lidhje me pamjet e publikuara së fundmi në rrjete sociale, ku shihet një akt dhune ndaj një qeni në ambientet e jashtme të Strehimores së Kryeqyretit dëshirojmë të informojmë opinionin publik se: Pas verifikimeve të menjëhershme, është konstatuar se personi që ka ushtruar dhunë nuk është punonjës i Strehimores, por një punëtor i kompanisë së sigurisë fizike, që e siguron objektin. Duke e konsideruar të papranueshëm dhe të dënueshëm çdo akt dhune ndaj kafshëve, ju informojmë se ndaj punonjësit në fjalë janë marrë masa të menjëhershme disiplinore, konkretisht: largimi i tij përfundimtar nga detyra, nga ana e kompanisë së sigurimit”, thuhet në reagimin në Facebook.