Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka akuzuar Komunën e Prishtinës për procesin e subvencionimit të personave që adoptojnë qen.
Sipas Fondacionit Komuna e Prishtinës jep mbi gjysmë milioni euro në vit për 12 persona për strehim të qenve.
Në një reagim të këtij Fondacioni thuhet se ky nuk është adoptim, por “një sistem i strehimit masiv i financuar nga fondet publike, pa transparencë, pa mbikëqyrje dhe që rrezikon mirëqenien e kafshëve”.
“Vetëm 12 individë marrin subvencione për mbi 850 qen – por Komuna e Prishtinës nuk ka raporte monitoruese dhe komisioni për monitorimin e adoptuesve është formuar vetëm në vitin 2025, pas kërkesës tonë për të parë procesverbalet e vizitave”, thuhet në reagim.
KOHA për këtë i ka dërguar pyetje drejtorit për Shërbime publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, dhe posa të përgjigjet teksti do të përditësohet.
Në reagimin e Fondacionit thuhet se ata kanë kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që t’i inspektojë strehuesit masivë.
Edhe
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve: AUV-i urdhëroi mbylljen e 2 strehimoreve ilegale të qenve
“Inspektimet e AUV-së te disa prej këtyre qendrave ilegale zbuluan: Higjiena nën mesatare, në disa raste, qentë ushqehen vetëm me bukë ose me mbetje të thertores, dokumentacioni shëndetësor i qenve është i mangët ose nuk ka fare dokumentacion, strehim i improvizuar – në një rast, një stallë e vjetër është kthyer në ‘strehimore’ për qen pa asnjë investim të vetëm”, thuhet në reagim.
Tutje thuhet se veterineri i strehimores publike të Komunës së Prishtinës – gjatë dy inspektimeve të veçanta të AUV-së, ka deklaruar që nuk e di nëse procesi i adoptimit respekton Udhëzimin Administrativ për Strehimoret e Kafshëve Shoqëruese, pasi që “për këtë vendos komisioni i brendshëm komunal”.
Fondacioni ka publikuar edhe një grafikë ku janë paraqitur personat që thuhet se marrin subvencione nga Komuna e Prishtinës për strehim të qenve.
-
Rreziku nga qentë endacakë – mbi 15 sulme në muaj vetëm në Prishtinë
-
Protestohet kundër qasjes së Komunës së Prishtinës për trajtimin e qenve endacakë
-
Protestë kundër qasjes së Komunës së Prishtinës në trajtimin e qenve endacakë
-
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve publikon videon ku një qen shihet duke u keqtrajtuar në strehimore