Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Padi ndaj institucioneve të shtetit për mostrajtim të qenve endacakë

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe dy qytetare do të dorëzojnë padi mërkurën për mosveprim të organeve shtetërore për të trajtuar qentë endacak, ka bërë të ditur të martën kjo organizatë.

Sipas njoftimit, padia do të bëhet për shkelje të të drejtave të njeriut dhe kompensim të dëmit në rastin e qenve endacakë.

Nuk është bërë e ditur për cilat raste bëhet fjalë, as për cilën komunë. Po ashtu, nuk është bërë e ditur se ndaj cilit institucion saktësisht do të bëhet padia.

“GLPS dhe dy qytetaret e dëmtuara konsiderojnë se nga mosveprimi i organeve shtetërore për trajtimin e problemit të qenve endacakë u janë shkelur të drejtat e tyre. Detaje mbi rastin do të shpalosen në konferencën për media të mërkurën”, thuhet në njoftim.

Sulmet e qenve endacakë kanë qenë të shpeshta në dimrin që shkoi. Shumë qytetarë kanë raportuar sulmet ndaj tyre.

Komunat dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë jo rrallë janë përplasur në lidhje me kompetencat për trajtimin e kësaj çështjeje. Kanë fajësuar njëra-tjetrën për mosveprim.