Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar të martën se ka vendosur një afat 15-ditor që gurthyesit t’i nënshtrohen procesit të verifikimit të pajtueshmërisë ligjore, teknike e mjedisore.
Në rast se nuk e bëjnë këtë brenda këtij afati, Pacolli ka thënë se kjo rezulton në humbje të së drejtës për shqyrtim administrativ dhe aktivizon inspektim në terren.
Ministrja ka thënë se vendimin e ka marrë për shkak të dëmtimeve ndër vite të maleve nga veprimtaria e gurthyesve.
“Për vite me radhë, malet dhe peizazhet tona të bukura janë dëmtuar nga shfrytëzimi shpeshherë i pakontrolluar dhe përtej lejeve nga veprimtaria e gurëthyesve. Prandaj, sot kam nënshkruar një vendim urgjent dhe të pakompromis për vendosjen e rregullit në këtë sektor. Vendimi OBLIGON të gjithë operatorët e gurëthyesve që në mënyrë të prerë e të menjëhershme t'i nënshtrohen procesit të verifikimit të plotë të pajtueshmërisë ligjore, teknike e mjedisore. Operatorët OBLIGOHEN që brenda 15 ditëve t'i përgjigjen kërkesës së ministrisë. Ky afat është i padiskutueshëm dhe mosdorëzimi i dokumentacionit brenda afatit rezulton në humbje të së drejtës për shqyrtim administrativ dhe aktivizon inspektimin e jashtëzakonshëm të menjëhershëm në terren”, ka shkruar ajo në Facebook. “Pasuria e Kosovës është pasuri e përbashkët, prandaj çdo shfrytëzim i saj duhet të bëhet në përputhje me ligjin”.
-
Pacolli: Prishtina bëri shkelje ligjore me menaxhimin e deponisë në Matiçan
-
Pacolli: Ndalohet betonimi i shtretërve të lumenjve
-
Pacolli për shembjen e rrugës në Prishtinë: Pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të standardeve
-
Pacolli për gjendjen e rëndë të mjedisit: Synojmë të inspektojmë me dronë
-
Pacolli kërkon reagimin e ndërkombëtarëve pas deklaratave të Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit