(E përditësuar) - Presidentja Vjosa Osmani në fjalën e saj në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka thënë se në Kosovë nuk flitet për paqen nga largësia, por për paqen nga barra e kujtesës.
Ajo ka thënë se pak më shumë se dy dekada më parë, fëmijët në Kosovë ishin dëshmitarë të tmerreve që ata nuk do duhej t’i shihnin.
Sipas saj, gratë e Kosovës ishin ato që mbajtën zemrat gjallë në orët e liga të vendit.
Osmani ka thënë se gratë e Kosovës nuk pranuan asnjëherë të shihen si viktima, por si ndërtuese të vendit.
E para e vendit ka theksuar se tregimet e fëmijëve të Kosovës nuk janë të rëndomta.
“Titulli i këtij forumi është një thirrje për të thyer ciklin e dhunës. Thirrje për të ndërtuar paqe që nuk është pasive, por dinamike. Paqe që sigurinë e fëmijëve e vë në thelb të angazhimeve tona. Paqe nuk është kur heshtin armët. Paqja është fillimi i transformimit. Një mundësi e re”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se janë fëmijët të cilët bartin peshën dhe barrën e luftës ndërsa rriten. Por, sipas Osmanit, fëmijët nuk janë vetëm viktima por janë paqebërësit e ardhshëm, presidentët e ardhshëm.
Ka shtuar se nëse nuk investohet në ta sot, lejojnë që konflikti të marrë udhë nesër.
Osmani ka thënë se Kosova është ngritur nga hiri.
“Ne e shndërruam traumën në politikë, heshtjen në forcë. Sot në zonat e luftës, gratë janë duke shkruar historitë siç i kemi shkruar ne. Lufta është gjëja më e tmerrshme që njerëzimi ka bërë ndonjëherë. Paqja është çështje e vullnetit, kurajës dhe vendimit”, ka thënë ajo.
Elisa Spiropali, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë ka thënë se përkundër masakrave të shumta të regjimit të Millosheviqit Kosova kurrë nuk u ngrit për t’u hakmarrë, por dhimbjen e shndërroi në forcë.
“Ky forum flet vet. Pasqyron dëshirën e madhe që ka Kosova për të fuqizuar gruan. Ne avokojmë për integrimin e zërave të grave në parandalim të konflikteve. Dua të veçoj se gjatë presidencës së KS nga Shqipëria prioritet u bë që zëri i Kosovës të dëgjohet dhe të jetë i pranishëm. Shqipëria sot është kampione për sa i përket barazisë gjinore veçanërisht në spektrin e politikës... Zgjedhjet e kohëve të fundit parlamentare rikonfirmuan rrugëtimin evropian që ka zgjedhur Shqipëria... Në qeverinë shqiptare pjesëmarrja është 50 me 50.. dhe në raste të tjera kemi 70 për qind të grave”, ka thënë ajo.
Rodney Williams nga Antigua dhe Barbuda ka thënë se Kosova është një shtet me qëndrueshmëri frymëzuese.
“Kalimi nga konflikti në vetëbesim është një dëshmi e qëllimit dhe vendosmërisë. Po takohemi sot në një vend që dikur ishte i shkatërruar nga lufta e sot lulëzon në paqe”, ka thënë ai.
Osmani pret delegacione nga 45 shtete në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
Sot në Prishtinë mbahet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili organizohet nga presidentja Vjosa Osmani.
Në forumin dyditor do të marrin pjesë 45 delegacione nga shtete të ndryshme, do të mbahen 30 panele diskutimi, me mbi 150 folës.
“Më 2 dhe 3 qershor, Prishtina bëhet edhe këtë vit vendtakimi i zërave nga e mbarë bota, të cilët do të ndajnë vizionin e tyre për ;Kodin e Sigurisë për Brezin Tonë’”, në thuhet në njoftimin e Presidencës për forumin.
Në këtë forum ndër të tjerë do të marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq.
Atë Osmani e ka pritur në një takim.
“Kjo vizitë e rëndësishme dëshmon rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka shkruar Osmani për takimin.