Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se është takuar të hënën me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello, me të cilin ka diskutuar për rolin në rritje të Kosovës në këtë organizatë pas avancimit në statusin e anëtares së asociuar.
Osmani ka thënë se Kosova do ta shfrytëzojë këtë mundësi si pjesë e aspiratës së saj për anëtarësim të plotë në NATO – objektiv ky që mbetet prioritet i politikës së jashtme dhe çështje e rëndësisë së veçantë për sigurinë kombëtare.
Gjatë takimit, ajo ka falënderuar Perestrellon për nominimin dhe vendimin që Asambleja Parlamentare e NATO-s t’i ndajë asaj Çmimin për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, duke theksuar se ky është një vlerësim për të gjitha gratë e Kosovës dhe kontributin e tyre për paqen, sigurinë dhe ndërtimin e shtetit.