Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të mendojnë për familjet e të pagjeturve nga lufta në Kosovë, duke shprehur shpresën që dialogu në Bruksel të mos jetë proces nëpërmjet të cilit i bëhet trysni Kosovës, ndërsa Serbia të shpërlahet padrejtësisht.
Ajo i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i bëjë presion Serbisë që t’i hapë arkivat.
“I bëj thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtarë, të gjithë aleatëve të Kosovës, do të thosha të gjithë aleatëve të të drejtave të njeriut, që të mendojnë pak për nënat, për motrat, për vëllezërit, për prindërit, për familjarët e atyre fëmijëve që ende janë në varrezat masive në të cilat po fle Serbia edhe 25 vjet pas luftës”, është shprehur Osmani, pasi ka bërë homazhe te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.
VIDEO:
Ajo ka thënë se ata duhet të mendojnë për faktin që edhe 25 vjet pas luftës në krye të Serbisë janë po ata që e shkaktuan zhdukjen me dhunë.
Edhe
Osmani: Urgjencë kombëtare, dokumentimi i krimeve të kryera gjatës luftës në Kosovë
“Shpresojmë shumë që dialogu në Bruksel nuk do të jetë një proces nëpërmjet të cilit Kosovës do t’i bëhet trysni, popullit të Kosovës do t’i bëhen padrejtësi, ndërkaq fytyra e Vuçiqit, një njeri i cili ende fle mbi varreza masive, do të vazhdojë të shpërlahet padrejtësisht”, është shprehur Osmani.
Ajo ka thënë se Serbia po vazhdon të bëjë shkelje flagrante të marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe në Ohër .
“Përkundër faktit që gjatë këtij viti u arrit një marrëveshje në Bruksel, dhe pastaj aneksi në Ohër, që ka krijuar obligim të qartë për Serbinë që t’i hapë të gjitha arkivat ku gjinden informatat lidhur me varrezat masive dhe vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, përkundër kërkesës së Komisionit Qeveritar të bërë qysh në fillim të qershorit të këtij viti, drejtuar presidentit të Serbisë që t’i hapë të gjitha ato arkiva në përputhje me marrëveshjet, fatkeqësisht Serbia akoma vazhdon të bëjë shkelje flagrante të këtyre obligimeve e po ashtu do të thosha edhe vazhdon ta ripërsërit krimin e saj duke e fshehur vendndodhjen e personave të zhdukur”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se të zhdukurit në Kosovës janë plaga më e thellë dhe dhimbja më e madhe në Kosovë.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se kjo ditë është “dhimbje që s’përfundon kurrë”. Edhe ai ka përsëritur kërkesën që ndërkombëtarët t’i bëjnë trysni Serbisë për t’i hapur arkivat.
Edhe
Osmani: Regjimi i Vuçiqit mban peng zbardhjen e fatit të të zhdukurve
“Është mungesë e drejtësisë për familjarët e gjithë popullin tonë, të cilëve Serbia ua ka zhdukur me dhunë të dashurit e tyre. Me vetë faktin që viteve të fundit në shumë lokacione në Serbi janë gjetur trupat e të dashurve tanë, tregon që harta ku bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kërkojë të zhdukurit me dhunë është Serbia dhe Serbia është shteti ku ndodhen kriminelët që i kanë kryer këto krime”, ka thënë Konjufca, që ka shtuar se Kosova duhet ta kryejë punën e vet që ndërkombëtarët të vetëdijesohen se Serbia duhet t’i hapë arkivat.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, Andin Hoti, ka thënë se familjarëve të të zhdukurve u ka mbetur hatri te ndërkombëtarët, për mospresion ndaj Serbisë. Ai ka deklaruar se Serbia s’e ka ndërmarrë asnjë hap në këtë fushë.
“Na mbetet hatri pak te faktori ndërkombëtar sepse ata do të duhej të ishin ata që duhet të kushtëzojnë që ajo të përgjigjet për fatin e këtyre personave dhe kur them përgjigjet për fatin e këtyre personave, unë si Komision Qeveritar me dëshirën më të madhe do të doja t’i ndiqja penalisht kriminelët, ata që kanë bërë këto krime, por s’është në mandatin tim, as në mandatin e shoqatave. Në mandatin tonë është vetëm t’i gjejmë e t’ua dorëzojmë familjeve personat e zhdukur e t’ua lehtësojmë dhimbjen. E as për këtë çështje shumë humane, tepër humane, Serbia nuk është e gatshme të bashkëpunojë dhe presioni fatkeqësisht ndaj Serbisë prej atyre që munden po mungon”, ka thënë ai.
Krasniqi: Institucionet e vendit të angazhohen më shumë për të pagjeturit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë se institucionet vendore duhet të angazhohen më shumë për zgjidhjen e fatit të personave të pagjetur, ndërsa ndërkombëtarët të shtojnë presionin mbi Serbinë për hapjen e arkivave.
Edhe
Udhëheqës shtetërorë kërkojnë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë
Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Krasniqi ka thënë se nderojnë kujtimin për të gjithë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, fati i të cilëve mbetet ende i pazbardhur.
“Prapa secilit prej tyre, qëndrojnë familjet që mbi dy dekada jetojnë me dhembjen dhe ankthin e mosnjohjes së të vërtetës për ta. Institucionet e vendit duhet të angazhohen më shumë për zgjidhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur, si dhe institucionet ndërkombëtare duhet të shtojnë presionin mbi Serbinë për hapjen e arkivave, si dhe sa më shpejtë të vënë para drejtësisë kriminelët e luftës që kanë qenë përgjegjës për zhdukjen e tyre”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.