Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut është hapur ekspozita “E vërteta, kujtesa, drejtësia”, e cila është një thirrje për drejtësi dhe dokumentim të krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë ekspozitë u shfaqën imazhe të trenit me qytetarë që po largoheshin nga Kosova gjatë luftës, arkivole të të vrarëve, fëmijë e nëna që mundoheshin t’i mbijetonin luftës.
Presidentja Vjosa Osmani tha se “regjimi i kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq shkaktoi dhimbje që nuk shuhen asnjëherë dhe se është urgjencë kombëtare që krimet e kryera gjatë luftës të dokumentohen e të kërkohet drejtësi”.
“Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit e gjenocidi i ushtruar nga regjimi i Millosheviqit shkaktoi dhimbje, e cila nuk do të shuhet asnjëherë. Mijëra të vrarë përfshirë shumë fëmijë, mijëra gra e burra të dhunuar. Mijëra persona të zhdukur me dhunë, të cilët ende mungojnë në familjet e tyre dhe i mungojnë gjithë Kosovën. Dhimbja e tyre nuk njeh kohë, ajo plagë e hapur, plagë e gjallë, plagë, e cila kullon çdo ditë dhe e cila ende kërkon drejtësi. 05’50Në shumë vende në Kosovë ende priten më të dashurit, rreth 1600 të zhdukur me dhunë. Nëpërmjet kujtesës, së vërtetës dhe drejtësisë, krimet jo vetëm që duhet të dënohen, jo vetëm që çdo ditë duhet të nderojmë ata që kemi humbur dhe mbi të gjitha edhe vetë e ardhmja duhet të ndërtohet mbi respektin për ta. 26 vjet pas luftës drejtësia ende mungon, kryesit e krimeve ende nuk janë gjykuar dhe viktimat, familjet e tyre ende vazhdojnë të presin, familjet e të zhdukurve jetojnë çdo ditë me pasiguri, dhimbje dhe ankthin e pritjes. Disa dëshmitarë e të mbijetuar po vdesin duke marrë me vete pjesë së rëndësishme të vërtetës. Prandaj, detyrimi ynë institucional është më i madh se kurrë dokumentimi, ruajtja e kujtesës dhe kërkimi i vazhdueshëm për drejtësi janë urgjencë kombëtare”, tha ajo.
Osmani tha se Kosova nuk do të lejojë që krimet të harrohet e gjenocidi të mohohet dhe ekspozita e sotme ‘E vërteta, kujtesa, drejtësia’ nuk është thjesht një shfaqje fotografish, por një dëshmi që tregon se nuk do të lejohet që e vërteta të shtrembërohet.
“Janë pamje e fuqishme se nuk do të lejojmë që e vërteta të shtrembërohet, nuk do të lejojmë që kujtesa të shuhet. Do të përkujtojmë fëmijët e vrarë, nënat e baballarët që nuk u kthyen kurrë, familjet që humbën gjithçka, ata që u zhdukën me dhunë. Për secilin prej tyre, për gratë që përjetuan tmerrin e dhunimit në kohë lufte dhe çdo viktimë të luftës. Secilin pa dallim, për secilën prej tyre kërkojmë drejtësi. Të mbijetuarit që jetojnë sot me plagë fizike, por mbi të gjitha plagë shpirtërore, janë personifikim i rezistencës dhe dinjitetit njerëzor; janë zëri i së vërtetës që asnjëherë nuk do të heshtet. Kosova nuk do të heqë dorë, nuk do të lejojmë që krimet të harrohen, nuk do të lejojmë që gjenocidi të mohohet. Për secilin person të zhdukur, për secilin fëmijë të vrarë, për secilën viktimë të dhunës seksuale do të flasim këtu dhe në çdo vend të botës; drejtësi do të kërkohet pa ndalur dhe e vërteta duhet të dëgjohet”, tha Osmani.
Drejtori i Institutit për Krime Lufte, Atdhe Hetimi tha se kjo ekspozitë është thirrje për përgjegjësi e dëshmi e fuqishme se krimet e kryera serbe nuk harrohen.
“Kjo ekspozitë... nuk është vetëm paraqitje vizuale e së kaluarës sonë, por akt institucional i kujtesës, thirrje për përgjegjësi dhe dëshmi e fuqishme se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk harrohen, por vazhdojnë edhe pas më shumë se një çerekshekulli liri të jenë plagë të hapura që kërkojnë drejtësi. Pra, videot dhe foto-materialet që shpalosen sot para jush nuk janë thjesht imazhe, por janë zëra të ngrirë në kohë, janë jetë të ndërprera dhunshëm, familje të shkatërruara, fëmijë, gra, burra dhe të moshuar që u bënë target i një represioni sistematik dhe të organizuar nga regjimi serb”, tha ai.
Në hapje të ekspozitës, përveç presidentes Vjosa Osmani, morën pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, diplomatë të vendeve të ndryshme në Kosovë dhe familjarë të personave të zhdukur.
Në Kosovë edhe 26 vjet pas lufte ende nuk dihet për fatin e rreth 1600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. /KP