Arbëri

Osmani: Formula e Trumpit, “paqe përmes forcës”, është ajo që funksionon në Ballkan Perëndimor

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se formula e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, “paqe nëpërmjet forcës” është ajo që funksionon në Ballkanin Perëndimor. 

Osmani në një intervistë për “Bloomberg” ka thënë se Trump dhe anëtarë të administratës së tij kanë ndaluar një përshkallëzim së fundi në Kosovë. 

“Që nga fillimi i mandatit të presidentit Trump, administrata e tij ka qenë shumë e vëmendshme ndaj Ballkanit Perëndimor. Ai ka qenë personalisht i përfshirë, siç ka thënë shumë herë, duke e përkrahur paqen jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por në rajon në përgjithësi. Personalisht ishte përfshirë, përfshirë anëtarë të administratës së tij, që të ndalojnë një përshkalëzim që ka ndodhur së fundi. Kemi vëmendjen e plotë të administratës së tij”, ka thënë Osmani. “...Kosova ka qenë kontribuuese e plotë e paqes dhe stabilitetit në rajon, por kemi një fqinj të çmendur që duhet të ndalet. Roli i presidentit Trump, formula ‘paqe përmes forcës’ është ajo që funksionon në Ballkanin Perëndimor”. 

Osmani ka thënë se Kosova është storie suksesi e SHBA-së dhe se është e bekuar që ka përkrahje bipartizane në SHBA. Osmani ka thënë se ndikimi i SHBA-së në Ballkan Perëndimor është masiv. 

“Janë rreth 600 trupa amerikane, por ndikimi është masiv”, tha Osmani, duke shtuar se për herë të parë në histori ka paqe në rajon. 

Ajo ka thënë se shpreson të mos ketë ndryshim në qasje të administratës së SHBA-së. 

Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, Osmani ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është ai që po pengon dhe po tenton ta kthejë rajonin prapa në kohët e errëta. 
E presidentja e Kosovës ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të jetë më i vendosur dhe i ashpër. 
Osmani në intervistë ka thënë se e përkrah anëtarësimin e Ukrainës në Bashkim Evropian. 

Ajo ka folur edhe për situatën politike në vend. Tha se nga gjuha që po përdoret po sheh një rol më konstruktiv nga liderët e partive politike. 

“Nga gjuha që po përdoret, shoh se liderët e partive politike kanë një qasje më konstruktive, pa vija të kuqe. Shpresoj të kemi shumë shpejt qeveri e të formohen institucionet. Na duhen institucione të ecim para drejt projekteve të mëdha me BE-në dhe SHBA-në”, tha Osmani. 

Ajo është pyetur edhe nëse do të rikandidojë për postin e presidentes së vendit. Ka thënë se për këtë mund të përgjigjet më qartë pasi të ketë përbërjen e Parlamentit. 

“Kosovës i duhet kontinuitet, veçanërisht në politikën e jashtme, që është pjesë e rëndësishme për të ecur para”, tha Osmani.