Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani dekoron me medalje presidenciale kryeministrin kroat

 Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të cilin e ka dekoruar me medaljen presidenciale “Shën Tereza”, me motivacionin për kujdesin, shpejtësinë e reagimit, solidaritetin dhe humanizmin e shtetit kroat në rastin e aksidentit tragjik të 25 korrikut të këtij viti në afërsi të Sllavonski Brodit, kur humbën jetën 10 qytetarë të Kosovës dhe u lënduan 26 të tjerë.

Me të njëjtën medalje, Osmani ka dekoruar edhe Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Josip Benčević” të Sllavonski Brodit për humanizmin, përkushtimin dhe profesionalizimin e dëshmuar në trajtimin e të aksidentuarve.

Në takim me kryeministrin Plenkoviq, presidentja e Kosovës i ka vlerësuar të shkëlqyeshme marrëdhëniet me shtetin kroat dhe është angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre. Osmani ka falënderuar Plenkoviqit edhe për mbështetjen që shteti i tij i ka dhënë Kosovës me një sasi vaksinash anti-COVID.

Më tej, Osmani ka theksuar se roli i Kroacisë për Kosovën është si partner strategjik rajonal dhe njëherësh edhe si mbështetëse e rrugës evropiane të vendit tonë. Ajo ka përmendur se të dy shtetet kanë intensifikuar bashkëpunimin në fushën e integrimit evropian.

Sipas presidentes, dialogu më Serbinë duhet të marrë fund me njohjen e ndërsjellë, teksa ka hedhur poshtë çfarëdo ideje, e cila synon trajtim jo të barabartë të Kosovës në kontekstin rajonal.

Aktualisht Kosova dhe Kroacia kanë nënshkruar rreth 30 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi.

Edhe Osmani në takim me Plenkoviqin: Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist ndaj Kosovës Arbëri Osmani në takim me Plenkoviqin: Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist ndaj Kosovës

Plenkoviq është pritur në takim edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glaul Konjufca.

“Gjatë takimit, i cili u karakterizua nga një frymë shumë miqësore dhe e pajtimit të plotë rreth interesave reciproke të bashkëpunimit, kryetari Glauk Konjufca vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe falënderoi kryeministrin Plenković për përkrahjen që shteti kroat i ka dhënë ndër vite Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit. Kryetari Konjufca po ashtu i shprehu mirënjohje të veçantë kryeministrit kroat për kujdesin dhe ndihmën e ofruar me rastin e aksidentit tragjik të autobusit me bashkatdhetarët tanë në Slavonski Brod. Duke e konsideruar Kroacinë si partner strategjik të vendit tonë, i pari i Kuvendit ritheksoi se fati i popujve të rajonit tonë është i përbashkët dhe se të tilla duhet të jenë edhe qëllimet, prandaj shteti ynë është i përkushtuar për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kryetari Konjufca nënvizoi se orientim afatgjatë i Republikës së Kosovës mbetet perspektiva evropiane dhe anëtarësimi në NATO e organizata tjera ndërkombëtare”, është njoftuar nga Zyra për media e Kuvendit të Kosovës.