Nga vizita në Rigë të Letonisë, presidentja Vjosa Osmani e akuzoi Serbinë se bën përpjekje të vazhdueshme për ta destabilizuar Kosovën. Ajo theksoi se në raport me shtetin serb, Kosova nuk është palë agresive. E nga presidenti leton, Egars Rinkevics, mori mbështetje për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian
Presidentja Vjosa Osmani e ka akuzuar Serbinë se në vazhdimësi bën përpjekje për ta destabilizuar Kosovën dhe se është shndërruar në dorë të zgjatur të Rusisë në Ballkan.
Këtë deklaratë Osmani e bëri të martën, në një konference shtypi në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Rigë të Letonisë, ku është pritur nga homologu i saj, Egars Rinkevics.
Osmani e hodhi poshtë nocionin e “tensioneve” mes Kosovës e Serbisë, pasi, siç tha, agresori dhe viktima kurrë nuk duhet të futen në të njëjtin thes.
“Në historinë e ekzistencës së vendit tonë, ne kurrë nuk kemi pushtuar a sulmuar një centimetër të territorit të fqinjëve tanë. Por çka kemi bërë gjithmonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë është ta mbrojmë pavarësinë tonë, integritetin territorial, paqen dhe lirinë që e fituam me mund dhe shumë sakrificë”, ka theksuar Osmani.
Osmani tha se Rusia, me gjithë përpjekjet për destabilizim në gjithë Evropën, nuk ka kurrfarë ndikimi në Kosovë, por shtoi se Serbia është bërë dorë e zgjatur e saj në rajon, qoftë në aspektin politik, atë ekonomik ose ushtarak.
Presidentja Osmani gjithashtu e theksoi rolin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Ne duam të shikojmë kah e ardhmja. Kjo është arsye pse ne jemi të angazhuar në mënyrë konstruktive në dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe unë do i bashkëngjitesha presidentit në mbështetjen e plotë të Përfaqësueses së Lartë, Kallas dhe të dërguarit të posaçëm për dialogun zotëri Sorensen. Do punojmë për së afërmi me ta në një mënyrë që do të shihet se propozimet tona, qasja jonë konstruktive do të kontribuojnë vetëm për paqe dhe stabilitet në rajon”, ka shtuar Osmani.
Presidenti leton Rinkevics e quajti historike vizitën e Osmanit, teksa e shprehu mbështetjen e palëkundur të shtetit të tij për rrugën e Kosovës drejt BE. Ai po ashtu u shpreh falënderues për mbështetjen që Kosova e dha për Ukrainën që po përballet me agresionin rus.
E për dialogun Kosovë-Serbi, Rinkevics e kërkoi përkushtimin e të dyja palëve.
“E shpreha mbështetjen time për Kaja Kallasin, përfaqësuesen e lartë të BE-së, dhe zotëri Sorensenin, i cili negocion në emër të BE-së në dialogun Prishtinë-Beograd, që është shumë i rëndësishëm. Është gjithashtu e rëndësishme që ky dialog ta gjejë mbështetjen e të dyja palëve, e jo vetëm njërës anë dhe nga ky këndvështrim ishte shumë interesante të dëgjoja nga zonja presidente opinionin e saj se ku jemi kur bëhet fjalë për dialogun”, deklaroi ai.
Në Rigë, Osmani u ndau medalje presidenciale ushtarake 140 paqeruajtësve letonë që veprojnë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë - KFOR.
Letonia e ka njohur Kosovën pak ditë pas shpalljes së pavarësisë dhe është anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 2004.