Arbëri

Osmani: Me ndihmën e aleatëve, në pranverë parandaluam tendencat e destabilizimit nga Serbia

Vjosa Osmani (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me ndihmën e aleatëve në pranverën e këtij viti kanë parandaluar tendencat destabilizuese të Serbisë. Ajo u shpreh se e di çfarë ka synuar Serbia, por thotë se nuk është e drejtë të flasë më shumë për të mos vështirësuar punën e institucioneve të sigurisë.

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Osmani ka theksuar se ka shumë njerëz që nuk duan të tregojnë publikisht se çfarë ka pasur të ndodhë .

“Ka pasur tendenca destabilizimi edhe sivjet në pranverë (nga Serbia). Me ndihmën e aleatëve tanë i kemi parandaluar. Ka shumë që nuk duan të tregojnë publikisht se çfarë ka ngjarë. Unë i kam lexuar raportet e institucioneve tona, e di çfarë ka synuar Serbia.  Këto janë çështje që janë të rregulluara me ligj. Kur informacionet janë të klasifikuara, e kemi për detyrë... unë si presidente kam të drejtë të deklasifikojë informacione, mirëpo mendoj që nuk është e drejtë që t’ua vështirësojë punën institucioneve tona të sigurisë. Ata duhet të vazhdojnë të mbledhin informata, dhe të jenë të gatshëm që të na informojnë neve si institucione dhe aleatët në mënyrë që të parandalojmë çdo tendencë destabilizuese të Serbisë”, ka thënë ajo.

Edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka përsëritur disa herë kohëve të fundit se e ka parandaluar një luftë mes Serbisë dhe Kosovës.

Në intervistë, Osmani ka thënë se këto deklarime nuk do të merreshin shumë seriozisht nëse Serbia nuk do të tentonte aktin e agresionit ndaj Kosovës në Banjskë shtator të vitit 2023 – ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Këto deklarime t’i bënim para vitit 2023 shumë njerëz nuk do ta merrnin edhe aq seriozisht. Mirëpo pas shtatorit 2023, kur Serbia tentoi një akt agresioni kundër Kosovës, dhe nëpërmjet grupeve terroriste dhe paramilitare që i futi në Kosovë kishte për qëllim ta aneksonte veriun e Kosovës, sipas planeve të Putinit dhe metodave të tij. Tashmë është e qartë se Serbia e ka atë qëllim dhe ajo vazhdimisht përdorë taktika destabilizuese, jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër Bosnjës dhe shteteve tjera në rajon”, ka deklaruar presidentja.

Sipas Osmanit, është e qartë që Serbia vazhdon të mbetet shtet agresor dhe dorë e zgjatur e presidentit rus Vladimir Putin.

“...sepse është qëllim i Rusisë dhe ka qenë historikisht, që të destabilizohet Ballkani Perëndimor, si mjet destabilizimi për tërë kontinentin evropian. Nuk është që veç po i themi, por ato kanë ndodhur si në vitin 2023 ashtu edhe në nëntor të vitit 2024, ku pati sulm në Ibër-Lepenc dhe qëllimi ka qenë shkatërrimi i mjeteve jetike përmes së cilave Kosova furnizohet me ujë, energji elektrike e ngrohje. Nëpërmjet kësaj të dëshmohet se përdoren edhe metoda hibride kundër Kosovës, e jo vetëm ushtria tradicionale që e kemi parë në vitet ’90. Serbia vazhdimisht i provon këto”, ka potencuar ajo.

Osmani ka folur edhe për situatën politike në Kosovë. Ajo bëri të ditur se nëse nuk formohet Qeveria në afat, do t'i ftojë liderët e partive për t'i pyetur nëse i ka ndonjëri numrat.