Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse, për siç e ka quajtur ajo, sulmin terrorist në Kosovë, në një takim me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të martën.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka theksuar se më 24 shtator, në Banjskë, Serbia ka kryer sulm terrorist dhe akt agresioni ndaj Kosovës me qëllim të aneksimit të veriut të Kosovës dhe destabilizimit të tërë rajonit.
“Prandaj, në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për aktin e saj të agresionit kundër Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Presidentja në takim me kryeministrin kroat ka thënë se në mënyrë që paqja të jetë e mundur në rajon, “Serbia duhet t’i tërheqë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën, ngase përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin”. Serbia ka reduktuar numrin e trupave ushtarake në kufi me Kosovën pas thirrjeve ndërkombëtare.
Për më tepër, ajo ka diskutuar me kryeministrin kroat edhe për provat e mbledhura nga policia e Kosovës “që e lidhin drejtpërdrejt Serbinë me këtë sulm si dhe për bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë me aleatët tanë në mënyrë që të parandalohet agjenda destabilizuese e Serbisë”, vijon njoftimi.
Osmani ka falënderuar kryeministrin Plenkoviq për kontributin e ushtarëve kroatë në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe bashkëpunimin bilateral ne fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Kroacisë teksa kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë.
Edhe
Osmani kongresistëve amerikanë: Serbia ende po i përkrah terroristët që kryen agresionin në Banjskë
“Osmani ka theksuar se Kosova ka prioritet shtetëror anëtarësimin në NATO edhe për shkak të sfidave të sigurisë me të cilat ballafaqohet rajoni ynë, ndërkaq potencoi edhe rëndësinë e avancimit me anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës e në Bashkimin Evropian si dhe organizma të tjerë ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
Osmani po qëndron në Kroaci për një vizitë dyditore. Paradite u takua edhe me presidentin Zoran Milanoviq e kryeparlamentarin Gordan Jandrokoviq.