Arbëri

Osmani: Bashkëpunimi me SHBA-në duhet të jetë bosht i veprimeve tona

(E përditësuar 11:50) - Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se bashkëpunimi me aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të jetë bosht i veprimeve që merr Kosova.

Në një konferencë për media të mërkurën pas takimit me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Osmani ka thënë se bashkëpunimi me aleatët është jetik për Kosovën.

“Sapo përfunduam një takim përmbajtjesor me emisarin e SHBA-së, diskutuam për zhvillimet e fundit si dhe për proceset e rëndësishme që po kalon Kosova. SHBA-ja përgjatë çdo sfide kanë qëndruar përkrah Kosovës. Bashkëpunimi me aleatët, veçanërisht me SHBA-në, duhet të jetë bosht i veprimeve tona”, ka thënë Osmani.

Fuqizimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe integrimi në aleancat euroatlantike nuk mund të bëhen pa ndihmën e aleatëve, dhe sërish me theks të veçantë te SHBA-ja, siç ka thënë Osmani.

Ajo ka përsëritur thirrjet që grupi paramilitar serb që mori pjesë në sulmin në Banjskë më 24 shtator të përballet me drejtësinë në Kosovë.

“Të gjithë ata që organizuan, financuan, përgatitën sulmin duhet të marrin përgjegjësi. Serbia duhet t’i ekstradojë ata”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka thënë se Kosova do të vazhdojë të punojë me aleatët “që kufiri ynë të jetë i sigurt dhe të parandalohen sulme të tilla”.

Për dialogun, Osmani ka thënë se është kruciale që të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të dakorduara vitin e kaluar sepse “qasja selektive për zbatim ndaj vetëm neneve të marrëveshjes bazike nuk do të ndihmojnë procesin”.

“Angazhimi i SHBA-së në këtë drejtim mbetet kyç për një përmbyllje të suksesshme të dialogut që do të çojë në njohje të ndërsjellë, siç edhe është thënë në letrën e presidentit Biden”, ka deklaruar Osmani.

Në bashkëpunim me aleatët, sipas Osmanit, edhe çështja e dinarit do të rregullohet.

Escobari po qëndron për vizitë në Kosovë. Sot pasdite pritet të takohet me udhëheqësit e opozitës, ndërsa nesër me kryeministrin Albin Kurti.


(E përditësuar 10:00) - Nis takimi Osmani-Escobar

Ka nisur takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Image

Escobari sot në Kosovë

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.

Ai do të takohet me presidenten Vjosa Osmani. Sipas njoftimi të Presidencës takimi do të nisë në orën 10:00. Pas takimit do të ketë deklaratë për media.

Escobari sot do t'i takojë edhe udhëheqësit e opozitës. Ndërkohë të enjten pritet të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti. 

Fokusi kryesor i takimeve pritet të jetë çështja e dinarit.

Escobari të martën në një bashkëbisedim me gazetarë e ka quajtur katastrofal vendimin e Kosovës për ndalimin e Dinarit serb, tek ka shtuar se shumë raporte që kanë pranuar konfirmojnë telashet me të cilat po ballafaqohen serbët në kryerjen e pagesave.

Duke folur për problemet që kanë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, diplomati amerikan ka thënë se, me të ka probleme edhe BE-ja, NATO-ja e shtete tjera nga rajoni.