Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pret që në takimin që do të zhvillohet nesër në Bruksel, palët të arrijnë të dakordohen për dinarin. Gjatë një vizite në Lipjan, Osmani ka bërë të ditur për pajtueshmërinë që është arritur me një pjesë të propozimit amerikan. Ajo ka thënë se është e domosdoshme që për çështjen e dinarit të këtë pajtim mes Kosovës e partnerëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë SHBA-në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pajtuar që në Kosovë të mos qarkullojë më dinari dhe ndihma financiare prej Serbisë për qytetarët të bëhet në euro, ka thënë presidentja Vjosa Osmani. Gjatë një vizite në Lipjan, Osmani ka thënë se kësisoj është arritur pajtim për një pjese të propozimit amerikan, të bërë nga emisari i SHBA-së, Gabriel Escobar, gjatë javës së shkuar.
“Është shumë pozitive që komuniteti ndërkombëtar në krye me SHBA-në pajtohen që të mos të ketë qarkullim të dinarit më në Kosovë dhe edhe me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje edhe ato dërgesa edhe ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia tash e tutje të arrijë në euro dhe jo në dinar. Dhe kjo mendoj që e zgjidh një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën, sepse çështja ka qenë si të zbatohet neni 11 i Kushtetutës që kërkon që në Kosovë të ketë vetëm një valutë e ajo është euroja”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, pjesa tjetër e propozimit për të cilin ende nuk ka pajtim mes palëve ka të bëjë me sigurinë që mjetet që arrijnë nga Serbia të moskeqpërdoren.
“Tash pjesa e dytë për të cilën akoma nuk ka pajtim, por unë jam shpresëplotë se edhe tek ajo pikë do të arrijmë shumë shpejt, është se si duhet të sigurohemi që çdo ndihmë financiare që vjen nga Serbia të mos të shkojë në duart e personave që kanë abuzuar, që janë korruptuar dhe i kanë marrë paratë kinse në emër të qytetarëve po i kanë shfrytëzuar për korrupsion e krim të organizuar dhe për atë pjesë është ende duke u hartuar një plan që do të involvojë institucionet e Republikës së Kosovës përfshirë edhe ato ligjzbatuese”, ka thënë ajo.
Të martën në Bruksel do të takohet kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e ai i Serbisë, Petar Petkoviq. Osmani pret që një dakordim për dinarin të arrihet në këtë takim.
“Më e mira do të ishte sikurse të arrihej në Bruksel, sepse është nesër takimi, do të ishte e mirëseardhur që ky pajtim të arrihej në Bruksel dhe në qoftë se jo në Bruksel është urgjente që kjo çështje të zgjidhet, sepse jo vetëm që zgjidhet dhe u ndihmon qytetarëve që të tejkalojnë disa prej sfidave me të cilat ballafaqohen”, ka thënë Osmani në një konferencë për media, të hënën.
Presidentja Vjosa Osmani ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballet Kosova, duke vënë theksin te sigurimi i kufirit me Serbinë.
“Secili prej nesh duhet të ulet bashkë me aleatët tanë, përfshirë aleatin kryesor, SHBA-në, dhe të sigurohemi që mbrohet çdo pëllëmbë e territorit tonë dhe çdo qytetar i Republikës sonë. Për ta arritur këtë duhet të punojmë bashkë me aleatët dhe kjo nuk është një gjë që ka dikush në Kosovë që nuk e di. Secili qytetar i Republikës së Kosovës e di këtë fakt kaq të qartë, që për ta mbrojtur Kosovën, kufijtë e saj sigurinë e saj, ne duhet të bashkëpunojmë me aleatët e saj të sigurisë”.
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës në Kosovë, javën e shkuar, tha se ka sjellë disa propozime për kryeministrin Albin Kurti, në lidhje me dinarin.
Pa dhënë më shumë hollësi për përmbajtjen e tyre, Escobar më pas tha se ato nuk janë pranuar nga Kurti. Gjatë qëndrimit në Kosovë emisari amerikan është shprehur i shqetësuar për situatën e serbëve që marrin mjete nga Serbia.
Në anën tjetër, KOHA të shtunën ka raportuar për opsionet që Banka Qendrore e Kosovës i ka ofruar Bankës Popullore të Serbisë se si mund të transferojë pagesat për qytetarët serbë në Kosovë. Për to përgjigje nuk është marrë nga pala serbe, derisa të njëjtat i janë përcjellë edhe Bashkimit Evropian.
Në mesin e tyre është edhe mundësia që Banka Popullore e Serbisë t`i dërgojë mjetet në euro direkt te BQK-ja e më pas ato autoriteti kosovar t`i shpërndajë nëpër llogaritë bankare të përfituesve. Opsioni i dytë i Bankës Qendrore dhënë bankës së Serbisë është që ajo t’i dërgojë si transfer mjetet në euro te një bankë ndërkombëtare ku BQK-ja ka llogari, për shembull “Deutsche Bundesbank”, e më pas BQK-ja i shpërndan nëpër llogari bankare të përfituesve në euro. Dhe opsioni i tretë kalon në nivel të bankave komerciale që operojnë në të dy vendet. Serbia sipas këtij propozimi i dërgon si transfer ndërkombëtar mjetet në euro në një bankë komerciale të Kosovës dhe më pas banka e zgjedhur i shpërndan ato nëpër llogaritë e përfituesve në Kosovë në euro.