Arbëri

Osmanaj: Votimi i fshehtë mund të jetë mënyrë për të dalë nga ngërçi politik

Egzon Osmanaj nga Fondacioni “Friedrich Ebert” ka thënë se shkaku kryesor pse Kosova është në një ngërç politik është mungesa e dialogut politik. Sipas tij, bllokada në Kuvend nga të gjitha partitë politike po bëhet për shkak se asnjëra nuk e ka shumicën e kërkuar.

Osmanaj ka theksuar se dështimi për të 15-n herë i konstituimit të Kuvendit tregon mosvullnet dhe mosgatishmëri të akterëve politike për themelimin e institucioneve.

Ka thënë se votimi i fshehtë mund të jetë mënyra për të dalë nga ngërçi politik.

“Tash e sa javë e kemi këtë skenar që duket më shumë si lojë politike e që është fatkeqësi që më 2025 gjendemi në një bllokadë të tillë. Kriza aktuale është puro politike dhe kërkon angazhim politik, nuk ka ngërc juridik”, ka thënë ai në “60 Minuta”.

Ai e sheh pozitive ftesën e presidentes për diskutim me liderët e partive politike.

“Ka bë mirë presidentja që ka filluar të përfshhet, me hapë rrugë, pasi e kemi pa që mënyrat e tjera nuk kanë funksionuar. Partia e parë ka dërguar disa ftesa për LDK-në që janë refuzuar dhe kemi parë hezitim nga partia e parë për të ftuar partitë tjera. Partitë do duhej të uleshin ndoshta edhe në këtë formatin që e ka ftuar presidentja dhe të diskutojmë si të gjendet zgjidhja për zgjedhjen e kryetarit, pa u reduktuar në emra të përveçëm por më shumë në konstituimin e Kuvendit”, u shpreh ai.

 Osmanaj ka shtuar se një prej arsyeve kryesore të bllokadës është mungesa e një marrëveshje politike mes partive që do t’i ndihmonte më pas në themelimin e qeverisë.

“Përgjegjësia është e të gjithëve, pavarësisht se partia e parë e ka barrën kryesore, përgjegjësi kanë edhe partitë tjera veçanërisht për konstituimin e Kuvendit. Nuk munden të kenë kësi barrikadime ekstreme ku partitë refuzojnë të janë pjesë e bisedimeve, duke ofruar opsione të pakuptimta. Opsioni për qeveri tranzitore është komplet e pakuptimtë në situatën që jemi tani”, potencoi ai.