Për të 15-tën herë ka dështuar përpjekja për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Të martën, edhe një herë dështoi formimi i Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Deputetët u mblodhën për rreth pesë minuta për një tjetër dështim. Pro votuan 56, kundër një. Seanca e ardhshme do të mbahet më 15 maj me fillim prej orës 10:30.

Kusari-Lila konfirmon që Kurti do t’i shkojë Osmanit në takim

1 o. më parë / 13 maj 2025 11:12
kusari

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka konfirmuar që kjo parti do të përfaqësohet nga kryetari Albin Kurti në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani për konsulta me partitë për zhbllokim të ngërçit politik.

Ajo ka thënë se në këtë takim do të shkohet për çështjen e konstituimit dhe jo për ndonjë marrëveshje politike.

VV-ja ka marrë ftesën dhe besoj se përgjigja është pozitive për pjesëmarrje në takim. Takimi nënkuptohet se është për konstituim të Kuvendit sepse s’mundet që zyra e presidentes të përdoret për marrëveshje politike por që të diskutohet ky proces këtu që po dështon”, ka thënë fillimisht ajo pas dështimit të 15-të të konstituimit të Kuvendit.

Më pas ajo ka përsëritur se Kurti është përfaqësues i VV-së në këtë takim teksa sërish ka akuzuar partitë opozitare për mosvotim të komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Një ditë më parë, edhe partitë tjera shqiptare konfirmuan përgjigjet pozitive në ftesën e Osmanit.

Bajrami: LVV-ja i ka edhe 13 parti parlamentare që nuk iu ka bërë ofertë si LDK-së

1 o. më parë / 13 maj 2025 10:49
Hykmete Bajrami

Photo: Driton Paçarada

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se alternativat për zhbllokim të situatës në Kuvend i ka në dorë Lëvizja Vetëvendosje. 

Ajo ka thënë se LVV-ja i ka edhe 13 parti parlamentare që nuk iu ka bërë ofertë sikurse LDK-së. 

“LVV-ja i ka edhe 13 parti parlamentare që nuk iu ka bërë ofertë sikur LDK-së, andaj janë ata që i kanë alternativat në dorë”, ka deklaruar Bajrami, pas dështimit të konstitutimit të Kuvendit për herë të 15-të. 

Ajo ka thënë se as kolizioni i LVV-së e as partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë nuk i kanë votat e mjaftueshëm për krijim të qeverisë. 

“Nuk ka një alternativë tjetër për të dalë prej kësaj situate, për arsye se as Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i tyre nuk i kanë votat dhe ne kemi pranuar me sinqeritet se as partitë e deridjeshme opozitare nuk i kanë numrat. Për të ecur përpara, për të pasur një vullnet për zhbllokim të situatës, kjo është alterantiva që ne e kemi vendosur në tavolinë”, është shprehur Bajrami. 

Ajo ka thënë se “pa dashjen tonë jemi bërë aktorë të serialit më të padëshiruar politik në Kosovë”.

Limaj: Duhet të ketë guxim politik

1 o. më parë / 13 maj 2025 10:45
Fatmir Limaj - 7 maj

Fatmir Limaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se në Kosovë ka nevojë për guxim politik.

“Duhet të ketë guxim politik. Duhet të ulemi që të krijohet një shumicë parlamentare që të ketë institucione”, ka thënë ai pas përpjekjes së 15-të të dështuar për konstituim të Kuvendit.

Ai ka thënë se Nisma është e interesuar që të bisedojë për shumicë parlamentare, “por partitë e mëdha e kanë përgjegjësinë”.

Krasniqi: I pakuptimtë insistimi i Kurtit për Haxhiun

1 o. më parë / 13 maj 2025 10:42
Memli Krasniqi

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka quajtur të pakuptimtë insistimin e Lëvizjes Vetëvendosje që Albulena Haxhiu të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit.

Ai ka deklaruar para mediave pas seancës që dështoi për herë të 15-të se VV-ja duhet ta ndërrojë kandidatin pasi shtoi se s’i ka numrat.

“Ky insistim i Kurtit për Albulena Haxhiun është i pakuptimtë dhe është pasiguriae tij në faktin e njohur dhe të dëshmuar që s’i ka numrat për shumicë parlamentare. Unë si kryetar i PDK-së do të vazhdoj të insistoj për një qasje zhbllokuese, jo vetëm për ndërrim të kandidatit. Por më vjen mirë që presidentja Vjosa Osmani e ka pranuar propozimin tonë për të ftuar një takim me të gjitha partitë politike. Shpresoj që të gjithë t’i përgjigjen pozitivisht”, ka deklaruar Krasniqi.

Edhe një përpjekje, edhe një dështim

1 o. më parë / 13 maj 2025 10:32
Kuvendi - 13 maj

Photo: Driton Paçarada

Për të 15-tën herë ka dështuar përpjekja për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Të martën, edhe një herë dështoi formimi i Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Deputetët u mblodhën për rreth pesë minuta për një tjetër dështim. Pro votuan 56, kundër një.

Seanca e ardhshme do të mbahet më 15 maj me fillim prej orës 10:30.

Nga kjo ditë presidentja Vjosa Osmani pritet t’i nisë takimet me partitë në konsulta për dalje nga ngërçi.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve. Në herët e shkuara, Lëvizja Vetëvendosje si subjekti më i madh nga zgjedhjet ka propozuar emrin e Albulena Haxhiut e cila nuk mori mbështetjen nga deputetët. Më pas, propozimi ishte që të kalohet në votim të fshehtë e që nga ajo kohë nuk ka shumicë për të formuar komisionin për të ndryshuar metodën e votimit. Pikërisht kjo kërkesë për ndryshim të mënyrës së votimit është dërguar në Gjykatën Kushtetuese një ditë më parë nga përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në këtë seancë u mbajt edhe një minutë heshtje për Tahir e Nebih Mehën në përvjetorin e rënies së tyre. Kjo nuk u respektua nga Lista Serbe.

Limaj: S’kemi ftesë nga Osmani, jemi për një qeveri të shumicës

1 o. më parë / 13 maj 2025 10:20
Fatmir Limaj

Photo: Driton Paçarada

Fatmir Limaj i Nismës tha se s’ka marrë ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për takim konsultativ.

Ai u shpreh të martën para futjes në sallën e Kuvendit se është pro një qeverie të shumicës, duke shtuar se vetëm në mënyrë “krijohen institucione stabile”.

“E kemi thënë para tre muajve, në politikë duhet të bisedohet e takohet. Duhen njerëz përgjegjës që kanë marrë përgjegjësi...Duhet të tentohet të gjendet një marrëveshje që i shërben shumicës. Mirë që po ndodhin këto (takime v.j.) por ne ende s’kemi marrë ftesë dhe s’kam ndonjë përgjigje”, ka thënë deputeti Limaj.

Ai shtoi se i ka disa propozime për tejkalim të situatës, por tha se këto do t’i shprehë nëse merr ftesë nga Osmani për konsultim.

Murati: Do ta shqyrtojmë ftesën e presidentes për takim

2 o. më parë / 13 maj 2025 10:08
Hekuran Murati

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se do ta shqyrtojnë ftesën e presidentes Vjosa Osmani për takim konsultativ.

Ai duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës për vazhdimin e seancës së pesëmbëdhjetë të konstituimin e legjislaturës së nëntë, tha se për ftesën do të vendosë Grupi Parlamentar i LVV-së, i cili përbëhet edhe nga partnerët Guxo dhe Alternativa.

“Duhet me pa se çka ka vendosur Grupi Parlamentar. Gjithsesi që shqyrtohet ftesa dhe shihet se çka është dhe besoj tani ju njoftojmë”, tha ai.

Presidentja Osmani ka ftuar liderët politikë për një takim të enjten, në tentim për të zgjidhur ngërçin në Kuvend pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Deri tani takimin e kanë konfirmuar Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës./KP

Peci thotë se presidentja duhet ta ftojë edhe partinë Guxo për konsultime

2 o. më parë / 13 maj 2025 10:06
Faton Peci

Faton Peci, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se partia e tij Guxo duhet të marrë ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për konsultimet për dalje nga ngërçi politik.

Një ditë më parë, Presidenca konfirmoi se presidentja Osmani do të nisë nga 15 maji konsultimet rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit, që ka dështuar që prej 15 prillit. Sipas Presidencës, ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para e ato u konfirmuan edhe nga disa parti.

“Ne nuk kemi marrë ftesë, do të duhej sepse jemi subjekt politik i regjistruar në KQZ pavarësisht se s’kemi garuar të vetëm por bashkë me VV-në”, ka thënë bashkëudhëheqësi i Partisë Guxo, Faton Peci.

Kjo parti nuk garoi si e vetme në zgjedhjet e 9 shkurtit, por nën logon e Lëvizjes Vetëvendosje.

Haradinaj: Po presim vendimin për vlerësim të kushtetutshmërisë së veprimeve në Kuvend

2 o. më parë / 13 maj 2025 10:04
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se janë duke pritur që këto ditë të Gjykata Kushtetuese të japë vlerësimin për kushtetutshmërinë e zhvillimeve gjatë seancave në Kuvend. 

“Aktualisht ne jemi në pritje të vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese, për kushtetutshmërinë e zhvillimeve që kanë ndodhur në seanca”, ka theksuar Haradinaj, para fillimit të vazhdimit të 15-të seancës konstitutive.

Për takimin e thirrur nga presidentja, Vjosa Osmani, ai ka thënë se do të marrin pjesë dhe se nëse kanë ndonjë sugjerim do ta japin.

Lushtaku: Kokëfortësia e LVV-së tallje me qytetarët

2 o. më parë / 13 maj 2025 09:55
Mergim Lushtaku

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka thënë se LVV-ja nuk i ka numrat për ta konstituuar Kuvendin. 

“Ata numra nuk janë të mjaftueshëm për të votuar kryetarin e Kuvendit, për të konstituuar Kuvendit, me të vërtetë është kokëçarje për qytetarët, tallje, pse kjo kokëfortësi nga një parti politike, se paku të ndërrojnë kandidatin dhe të ketë propozime të ndryshme për të dalë nga kjo situatë”, ka thënë ai. 

Për ftesën e presidentes Vjosa Osmani për konsultime, Lushtaku ka thënë se shpreson që edhe Lëvizja Vetëvendosje do t’i përgjigjet për të bërë një zgjidhje.

Ai ka thënë se po ndihen sikurse janë në një kopsht fëmijës. 

“LVV-ja po shpik forma të ndryshme vetëm për të mos e hedhur në votim kandidaten e tyre për kryetare të Kuvendit, që po shihet se po dështon”, ka shtuar ai, para nisjes së vazhdimit të 15-të seancës konstituive.

“Nëse vazhdon kështu po e humbim çdo sens të përgjegjësisë çfarë e kemi para qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Lushtaku.