Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kokëfortësia politike që paralizoi institucionet shtetërore e zgjedhjet që premtuan zhbllokimin

kuvendi i kosoves

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Dakordimi që partitë politike e arritën për pak orë të martën mbrëma qe i rrallë krahasuar me atë çka ndodhi vitin e kaluar. Brenda 12 muajsh të vitit 2025, vendi u përball me tri procese zgjedhore. Në vend që zgjedhjet të hapnin një kapitull të ri institucional, ato e futën Kosovën në një cikël bllokadash që prodhuan jo pak pasoja për shtetin.

Kosova përjetoi në 2025-tën një prej krizave më të gjata politike të pasluftës, si rezultat i mungesës së kompromisit dhe interpretimeve të ngurta të subjekteve politike.

Ajo që filloi si proces i zakonshëm zgjedhor në fillim të vitit, u shndërrua në ngërç njëvjeçar, që e la shtetin pa institucione funksionale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ngërçi institucional mori formë më 15 prill, kur u nis seanca konstituive e Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Që nga ajo ditë, Kuvendi u shndërrua në skenë bllokade, me vazhdime të përsëritura të seancës që zgjati me muaj.

Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti më i madh parlamentar i dalë pas zgjedhjeve me 48 deputetë, insistoi për disa muaj në një propozim të vetëm për kryetare të Kuvendit – Albulena Haxhiun.

Qëndrimi u justifikua si e drejtë që buron nga rezultati zgjedhor, ndërsa opozita e cilësoi si kokëfortësi politike dhe keqpërdorim i procedurave kushtetuese.

Gjatë gjithë kësaj kohe nuk u pa vullnet për ndërtimin e një koalicioni qeverisës. Opozita refuzoi bashkëpunimin me Albin Kurtin, duke ia përmendur gjuhën fyese të përdorur ndaj tyre në natën e zgjedhjeve, e veçmas fjalën “hajvanë”.

Lëvizja Vetëvendosje i drejtoi ftesë për bashkëqeverisje vetëm Lidhjes Demokratike. Ajo e refuzoi dhe propozoi qeveri gjithëpërfshirëse si zgjidhje kalimtare.

Ngërçi u thellua edhe më shumë kur LVV-ja tentoi të ndryshonte mënyrën e votimit për kryeparlamentarin, nga votim i hapur në të fshehtë. Pas kësaj, partitë opozitare disa herë iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese.

Fillimisht AAK-ja, e më pas PDK-ja dhe LDK-ja dorëzuan lëndë të ndara për konteste procedurale.

Në tri aktgjykimet e saj, gjykata konstatoi se zvarritja e konstituimit të Kuvendit cenonte rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të shtetit.

Gjykata vendosi masë të përkohshme nga 27 qershori deri më 8 gusht, duke ua ndaluar deputetëve marrjen e vendimeve për konstituimin e Kuvendit.

Më 8 gusht, ajo obligoi Kuvendin t’i kthehej votimit të hapur dhe përcaktoi që i njëjti kandidat për kryeparlamentar të mos propozohej më shumë se tri herë.

Vetëm pas këtij presioni juridik, Kuvendi më 26 gusht zgjodhi Dimal Bashën kryeparlamentar edhe me votat e PDK-së.

Kohë mori edhe zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e serbëve dhe kontesti për këtë ende vazhdon në gjykatë.

Konstituimi i Kuvendit nuk prodhoi zgjidhje.

Kriza u zhvendos menjëherë te formimi i qeverisë. Përpjekja e parë dështoi, pasi Albin Kurti nuk i siguroi votat e nevojshme. Në seancën e 26 tetorit ai mori 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime.

Edhe tentativa e dytë, me mandatarin Glauk Konjufca, përfundoi pa sukses.

Ndërkohë, kostoja e bllokadës u ndie drejtpërdrejt në jetën institucionale dhe ekonomike. Buxheti për vitin 2026 mbeti i pamiratuar.

Kosova humbi mundësinë gjatë vitit për të përfituar nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, për shkak të mosratifikimit të marrëveshjeve në Kuvend.

Vendimmarrja u paralizua në dhjetëra borde të institucioneve të pavarura që mbetën pa anëtarë, shkaku i skadimit të mandateve dhe pamundësisë për zëvendësim.

Në fund, pas një viti të tërë bllokade dhe përplasjesh politike, rruga e vetme e mbetur ishte shpërndarja e Kuvendit nga presidentja Vjosa Osmani. 
Më 28 dhjetor, qytetarët iu drejtuan sërish kutive të votimit, duke ndryshuar shumëçka në konstalacionin politik në vend. Përfshirë këtu edhe rezultatet që partitë politike shënuan.

Sipas rezultateve të certifikuara një muaj e gjysmë pas mbajtjes së zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje siguroi 57 mandate në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 15, AAK-ja 6 derisa komunitete joshumicë 20 ulëset e tjera.