Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Pse Kosova e ka gjithmonë të vështirë ta zgjedhë presidentin?

I.

Sa herë që politika kosovare futet në ngërç, shpjegimi i parë që del në sipërfaqe është zakonisht i njëjtë: “Problemi është te liderët tanë. Nuk duan të bashkëpunojnë. Janë shumë të fokusuar te interesat e tyre”. Është një shpjegim që tingëllon bindës, sepse është i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe na ofron kë të fajësojmë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por ky shpjegim e anashkalon çështjen kryesore që rrallë kush guxoi ta artikulojë. Problemi qëndron te struktura e sistemit, jo te sjellja e individëve. Sa herë që Kosova përpiqet ta zgjedhë presidentin, procesi bllokohet. Jo një herë. Jo dy herë. Por vazhdimisht. Kur diçka ndodh vazhdimisht, kjo nuk është më rastësi, por është një model kushtetues. Dhe modelet krijohen nga nxitje të gabuara që sistemi prodhon. Jo aq e thjeshtë, pra.

Le të shohim se çfarë po kërkon Kushtetuta jonë.

Për të zgjedhur qeveri duhen 61 vota, shumica absolute. Por për të zgjedhë president duhen dy të tretat ose më saktë 80 vota. Dallimi këtu është i qëllimshëm. Ideja ishte që presidenti të ketë legjitimitet më të gjerë se qeveria. Që të jetë figurë konsensusi. Tingëllon mirë. Por në praktikë, krijon atë që unë e quaj një boshllëk institucional. Sepse ja çfarë po ndodh vërtet: Sistemi ynë politik kërkon një nivel marrëveshjeje që vetë sistemi nuk mund ta prodhojë.

Mendoni për këtë. Partitë janë ndërtuar për të konkurruar. Ky është funksioni i tyre. Por pastaj u kërkojmë të bien dakord për një post që asnjëra nuk mund ta kontrollojë plotësisht. Pa u dhënë asnjë motiv të qartë për ta bërë. Ndonëse nuk mjafton të duken se janë parti “Institucionale”.

II.

Le të shohim konkretisht se çfarë po i kërkojmë opozitës, sepse kjo na ndihmon të kuptojmë pse procesi dështon. 

Imagjinoni që jeni në opozitë. Keni humbur zgjedhjet. Baza juaj elektorale është e zhgënjyer. Dhe tani qeveria - ajo qeveri që sapo ju ka mundur vjen dhe ju thotë: “Na duhen votat tuaja për ta zgjedhur presidentin”.

Çfarë fitoni nga kjo?

Përgjigjja është e qartë: Asgjë konkrete. Jo poste në qeveri. Jo ndikim mbi politikat. Jo qasje në vendimmarrje. Ajo që u mbetet është vetëm mundësia të paraqiten si aktorë të përgjegjshëm ndaj institucioneve. Por kjo është shpërblim abstrakt. Dhe në politikë, abstraktet nuk të fitojnë zgjedhje.

Në demokracitë që funksionojnë, ka balanca brenda sistemit. Partitë duan të fitojnë, por nuk duan të duken jo përgjegjëse. Duan të mobilizojnë bazën e tyre elektorale, por nuk duan të humbasin votuesit e moderuar. Duan të bllokojnë qeverinë, por nuk duan të fajësohen për kaos.  Në Kosovë, këto balanca thjesht nuk ekzistojnë.

Le të shpjegojmë pse.

Së pari, kostoja e bllokimit është e ulët. Nëse opozita refuzon të votojë dhe procesi dështon, ajo mund të fajësojë qeverinë. “Nuk patën aftësi për të negociuar”. Votuesit, ata që në zgjedhjet e fundit vetëm 46% dolën të votojnë do të fajësojnë të gjithë politikanët. Kësisoj kostoja politike pashmangshmërisht shpërndahet. Dhe kur kostoja shpërndahet, arsyeja për ta shmangur bllokadën dobësohet.

Së dyti, përfitimi i bashkëpunimit mes pozitë dhe opozitë është i ulët. Nëse presidenti zgjidhet, çfarë ndryshon për opozitën? Qeveria vazhdon të qeverisë. Brukseli vazhdon të punojë me qeverinë. Për opozitën, asgjë konkrete nuk ndryshon. Por sapo pranojnë të bashkëpunojnë, përballen me një reagim të pritshëm nga baza e tyre elektorale, e cila e sheh këtë lëvizje si shërbim ndaj kundërshtarit politik.
Kjo është logjika që e bën bllokadën racionale, sado paradoksale të duket.

Së treti, dhe kjo mendoj se është më e rëndësishmja, horizonti kohor është i shkurtër. Në sistemet që funksionojnë mirë, partitë politike mendojnë në perspektivë më afatgjatë. Dinë që sot janë në opozitë, por nesër mund të jenë duke qeverisur. Dinë që normat që krijojnë sot do t'i ndihmojnë atyre nesër.

Pra, ka një lloj reciprociteti të vonuar. Por në Kosovë, e ardhmja është e pasigurt. Qeveritë rrëzohen pa paralajmërim. Koalicionet prishen lehtë dhe zgjedhjet vijnë para afatit. Derisa e ardhmja është kaq e pasigurt, të gjitha partitë politike optimizojnë për sot. Dhe sot, bashkëpunimi nuk ia vlen. 

III.

Tani, e di se çfarë po mendoni. “Pse nuk e ndryshojmë sistemin? Pse nuk e reformojmë Kushtetutën”? Propozimet nuk mungojnë. Zgjedhje e drejtpërdrejtë e presidentit. Ulje e pragut të votave. Por sa herë që i shqyrtoj këto ide, gjej probleme.

Le ta shohim zgjedhjen e drejtpërdrejtë. Në shikim të parë tingëllon demokratike. Por çfarë ndodh nëse presidenti i zgjedhur nga populli është nga një parti, dhe qeveria nga një tjetër? Kush flet për vendin? Kush vendos për politikat e jashtme?

Në sistemet presidenciale si SHBA, ky model ka provuar se funksionon sepse presidenti ka fuqi të qartë ekzekutive. Por në sistemin tonë, ku presidenti është kryesisht ceremonial, kjo krijon potencial për konflikt mes qeverisë dhe presidentit.

Ose shikojmë uljen e pragut të votave për zgjedhjen e presidentit. Nëse presidenti zgjidhet me 61 vota, të njëjtat që zgjedhin qeverinë, atëherë çfarë është qëllimi? Presidenti bëhet thjesht zëri i qeverisë. Qartazi  humb funksionin si figurë konsensusi. Por këtu është problemi më i madh. Të gjitha këto reforma kushtetuese kërkojnë pikërisht atë që mungon e që është marrëveshje të gjerë mes partive.

Le ta them ndryshe: Si mund të reformosh një sistem që nuk funksionon, kur reforma kërkon që sistemi të funksionojë? Kjo është dilema jonë. Dhe mendoj se duhet ta pranojmë hapur.  Reformat e thella janë gati të pamundura tani.

Pra çfarë bëjmë?

IV.

Këtu është pse mendoj që kjo çështje është më e rëndësishme sesa duket. Nuk bëhet fjalë vetëm për zgjedhjen e një presidenti. Bëhet fjalë për atë nëse sistemi ynë mund të marrë vendime kur çështjet janë të kontestuara. Çdo shtet duhet të ketë aftësinë për të marrë vendime edhe kur nuk ka konsensus të plotë. Duhet të ketë mekanizma që transformojnë konfliktin në kompromis. Në sistemet që funksionojnë, këta mekanizma ekzistojnë. Në sistemet që nuk funksionojnë, çdo vendim bëhet krizë.

Dhe Kosova, më duhet ta them është në kategorinë e dytë.

18 vjet pas pavarësisë, kemi ndërtuar strukturat formale. Kemi Kushtetutë, kemi Kuvend, kemi Qeveri.

Por nuk kemi ndërtuar mekanizmat që i bëjnë këto të funksionojnë kur presioni vjen. Nuk kemi ndërtuar nxitjet që prodhojnë bashkëpunim. Nuk kemi ndërtuar normat që bëjnë që kompromisi të mos shihet si dobësi.

Ajo që bie më shumë në sy në çdo krizë politike në Kosovë nuk është vetë kriza, por mënyra se si ajo pranohet si pjesë e natyrshme e funksionimit institucional.  Po pajtohemi, pa e thënë me zë, se është në rregull që sistemi të mos funksionojë. Sikur sistemi po e lexon heshtjen tonë si udhëzim.

Vetëm duke parë qartë nxitjet, rregullat dhe boshllëqet që e drejtojnë sjelljen politike, është e mundur të ndërtohet një sistem që funksionon ndryshe. Përndryshe, situata do të përsëritet. Jo vetëm në zgjedhjen e presidentit, por në çdo proces që kërkon që shteti të veprojë përtej interesave të njëpasnjëshme partiake.

Kjo mbetet pjesa e papërfunduar e ndërtimit institucional. Dhe është një detyrë që pret zgjidhje.