Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

OSHP-ja vërteton anulimin e prokurimit për teleferikun në Kala të Prizrenit

Prizren, 24 gusht – Organi Shqyrtues i Prokurimit ka konfirmuar anulimin e aktivitetit të prokurimit për ndërtimin e teleferikut për qasje më të lehtë në Kalanë e Prizrenit.

Ajo ka marrë parasysh argumentet e ofruara nga Komuna e Prizrenit për anulimin e këtij prokurimi. Në arsyetim është theksuar se ka skaduar edhe afati i lejes së ndërtimit për këtë projekt.

OSHP-ja në vendimin e vet ka bërë të ditur se ka miratuar si pjesërisht të bazuar ankesën e operatorit ekonomik "Energoremont DD - dega në Kosovë & Energorment DD & KAG Asphalt Company" lidhur me këtë lëndë.

Megjithëkëtë ky organ ka vërtetuar njoftimin e Komunës së Prizrenit për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit.

"Vërtetohet njoftimi për anulimin e aktivitetit të prokurimit me titull: "Ndërtimi i teleferikut për qasje më të lehtë në Kalanë e Prizrenit", iniciuar nga Autoriteti kontraktues, Komuna e Prizrenit", shkruan në vendimin e OSHP-së.

“Komisioni i vlerësimit ka konstatuar se me rastin e dhënies së lejes së ndërtimit për këtë projekt nuk janë respektuar ose janë shkelur tri ligje, të cilat i rregullojnë ndërtimet në Zonën Historike. Ato janë: Ligji për trashëgiminë kulturore, Ligji për Zonën Historike dhe Ligji për planifikim hapësinor”, thuhej në njoftimin për anulim të Komunës së Prizrenit (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).