Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ORCA dorëzon në Këshillin Etik të UP-së dosjen e dy profesorëve

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka dorëzuar në Këshillin Etik të Universitetit të Prishtinës dosjen me pretendimin për plagjiaturë të dy profesorëve në Fakultetin Filozofik, Bujar Dugollit dhe Ardian Kastratit.

Në qershor të këtij viti, ORCA ka denoncuar dy profesorë të Fakultetit Filozofik, Bujar Dugollin dhe Ardian Kastratin, për dyshime të bazuara se kanë përdorur një punim me elemente të theksuara të plagjiaturës për t’u avancuar në grada akademike.

Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati akuzohen se në punimin me titull “Diplomacy through the ages of history: Theoretical analyses of the concept” më 2017 përdorën pjesë teksti nga burime të ndryshme pa treguar se ku i kanë marrë. Pretendimet, ORCA i kishte ngritur përmes një denoncimi anonim pas të cilit punimin e ka futur në platformën ndërkombëtare anti-plagjiaturë Turnitin dhe pas testimit, rezultati sipas organizatës doli se “shumica e tekstit të punimit është i ngjashëm me burime të tjera”.

Sipas ORCA-s, punimi u ka shërbyer profesorëve për t’u avancuar në titujt akademik brenda Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Në konkursin për zgjedhjen e personelit akademik në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës në vitin 2018, Bujar Dugolli përmes punimit të cekur më lartë është avancuar nga titulli profesor i asocuar në profesor të rregullt, ndërsa një vit më vonë, në vitin 2019 Ardian Kastrati përmes të të njëjtit punim është avancuar nga titulli asistent në profesor asistent”, thuhet në njoftim.

Edhe Konfirmohet plagjiatura e Dugollit dhe e Kastratit Arbëri Konfirmohet plagjiatura e Dugollit dhe e Kastratit

“Që nga momenti i denoncimit në qershor të këtij viti, ORCA kishte kërkuar nga organet udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës të iniciojnë procedurat për verifikimin e këtyre dëshmive dhe si rrjedhojë të merren masa në përputhje me Rregulloren për Masa dhe Procedura Disiplinore. Por, meqë këto organe nuk e kanë bërë asnjë lëvizje të vetme në këtë drejtim, përgjatë këtyre muajve, ORCA ka përgatitur një dosje me dëshmi të mjaftueshme për ta dokumentuar plagjiaturën e profesorëve dhe sot i është drejtuar Këshillit të Etikës të UP-së, organ ky që është përgjegjës për verifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të tilla të cilat cenojnë integritetit dhe ndershmërinë intelektuale të universitetit”, vijon njoftimi i kësaj Organizate.

Tutje, ata kanë kërkuar nga ky organ të shqyrtojë dhe vërtetojë se dy profesorët kanë kryer shkelje të rënda nga Kodi i Etikës, rrjedhimisht të përjashtohen nga Universiteti.

“Ne presim që ky organ ta shqyrtojë dokumentacionin e ofruar dhe të vërtetojë se të dy profesorët Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati kanë kryer shkelje të rënda nga Kodi i Etikës, Statuti i UP-së dhe nga Rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës. Si rrjedhojë, Këshilli i Etikës duhet të rekomandojë që: 1)Të merret masa disiplinore për ndërprerje të marrëdhënies së punës së profesorëve konform nenit 8, nënparagrafi 1.10 të Rregullores për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës dhe 2) T’i rekomandojë Senatit që të përjashtojë revistën “ANALELE UNIVERSITATII DIN CRAIOVA-SERIA ISTORIE”, nga lista e revistave të pranueshme për avancim, meqenëse revista në fjalë lejoi që të publikohet punimi i cili ka përmbajtje të plagjiaturës”, vijoi njoftimi i ORCA-s.

Këtyre pretendimeve, për KOHËN u ishte përgjigjur Dugolli, i cili duke mohuar kategorikisht ato, ka thënë se kjo mund të jetë qasje e organizatës për ta sulmuar deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, pas komentit të këtij të fundit ndaj presidentes Vjosa Osmanit gjë që çoi në vërejtje me shkrim ndaj tij nga Këshilli i Etikës së UP-së më herët.

“Nuk e di në çka sillen ata, por në rast se kanë tendenca për ta sulmuar Kastratin, është diçka tjetër, por sa i përket anës sime është qasje e gabueshme. Nëse kanë qasjen për ta sulmuar Kastratin, mund ta sulmojnë, por punimin nuk mund ta sulmojnë sepse punimi i nënshtrohet një procesi të verifikimit nga revista dhe futet në sistemin anti-plagjiaturë akademik. Ai punim është kaherë i botuar dhe nuk ka pasur asnjë element të tillë që revista apo redaksia ku është botuar të kundërshtojë një gjë të tillë. Nëse do të ishte sipas pretendimeve të tyre, punimi nuk do të ishte botuar”, kishte thënë Dugolli në një përgjigje për KOHËN.

Edhe ORCA: Dugolli pranoi fajësinë mbi plagjiaturën Arbëri ORCA: Dugolli pranoi fajësinë mbi plagjiaturën
 

TË PËRJASHTOHEN NGA UNIVERSITETI PROFESORËT BUJAR DUGOLLI DHE ARDIAN KASTRATI Në qershor të këtij viti, ORCA ka...

Posted by ORCA Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim on Friday, October 1, 2021