Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka dorëzuar një ankesë në Senatin e Universitetit të Prishtinës mbi vendimin e Këshillin të Etikës të datës 16 qershor rreth dyshimit për plagjiaturë të profesorëve Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.
ORCA po kërkon që dy profesorëve të iu hiqet minimalisht titulli akademik, që siç thonë ata, është i fituar përmes plagjiaturës. Ata gjithashtu po kërkojnë përjashtimin e tyre nga Universiteti i Prishtinës.
ORCA i konsideron masa qesharake vendimet e Këshillit të Etikës më 16 qershor për dy profesorët, që sipas organizatës, kanë bërë shkelje të rënda dhe meritojnë dënim më të rëndë.
Këshilli i Etikës e pati dënuar Dugollin me mosmentorim të temave të diplomës në nivel master dhe doktoratë për dy vjet, ndërsa Kastratit iu ndalua mentorimi në të gjitha nivelet e studimit për tre vjet.
Këshilli i Etikës gjithashtu pati vendos që artikulli i plagjiarizuar nuk konsiderohet më punim i botuar nga autori dhe nuk mund të shfrytëzohet për avancim akademik. Në këtë rast, ORCA pretendon se kjo masë është nul dhe nuk mund të konsumohet, pasi profesorët e kanë shfrytëzuar punimin për avancim akademik një herë.
Edhe
ORCA kërkon përjashtimin e profesorëve Dugolli e Kastrati nga UP-ja
“Plagjiatura është shkelja më e rëndë akademike. Në të gjitha vendet e botës dhe institucionet kredibile të tyre, plagjiatura përbën fundin e tolerancës disiplinore. Raste të ndryshme në botë, sidomos në vendet e BE-së, të njerëzve me pushtet si ministra a zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror, kanë përfunduar me largimin e tyre nga jeta publike dhe heqjen e titujve e gradave shkencore të përfituara nga plagjiatura”, thuhet në reagimin e ORCA-s.
Senati i UP-së është shkalla e parë ankimuese.