Arbëri

Konfirmohet plagjiatura e Dugollit dhe e Kastratit

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka njoftuar se Senati i Universitetit të Prishtinës e ka konfirmuar vendimin e Këshillit të Etikës, se profesorët Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati kanë kryer plagjiaturë.

Mosmentorimi i temave të masterit dhe të doktoratave për dy vjet si dënim ndaj Dugollit dhe Kastratit, sipas ORCA-s, "janë ndëshkime qesharake".

Kjo organizatë paralajmëroi se rastin do ta dërgojë në Këshillin Drejtues të UP-së, për t'i ndërruar masën e dënimit ndaj tyre.

“Senati i UP-së e konfirmoi tashmë këtë. Rasti mendojmë se duhet të shkojë në Këshillin Drejtues të UP-së. Jemi duke e shqyrtuar për ta dërguar tutje rastin pasi dënimet janë qesharake”, ka deklaruar Dibran Hoxha nga ORCA për KOHËN.

Profesori i apostrofuar, Bujar Dugolli, ka thënë se nuk dëshiron të flasë për këtë çështje pasi “tash e dy vjet ka folur mjaft”, ndërsa Kastrati nuk është përgjigjur në thirrjet e KOHËS.

Në 2021-n, ORCA i kishte denoncuar dy profesorët për plagjiaturë të burimeve, ku nëpërmjet tyre janë ngritur në pozita më të larta akademike.

Punimi ishte tërhequr nga revista, ndërsa ishte kërkuar shkarkimi i profesorëve.