Arbëri

Akuza për plagjiaturë, Dugolli e konsideron “sulm ndaj Kastratit”

Dy profesorë të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës janë akuzuar për plagjiaturë në një punim shkencor, e që më pas thuhet se të dy e kishin përdorur atë për avancim në pozitë. Akuzat janë mohuar nga njëri prej tyre që e konsideron krejt këtë fushatë ndaj tjetrit.

Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati akuzohen se në punimin me titull “Diplomacy through the ages of history: Theoretical analyses of the concept” më 2017 përdorën pjesë teksti nga burime të ndryshme pa treguar se ku i kanë marrë. Pretendimet i ka ngritur Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) përmes një denoncimi anonim pas të cilit punimin e ka futur në platformën ndërkombëtare anti-plagjiaturë Turnitin dhe pas testimit, rezultati sipas organizatës doli se “shumica e tekstit të punimit është i ngjashëm me burime të tjera”.

“Autorët e këtij punimi Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli, kanë marrë pjesë të tekstit nga burime të ndryshme duke i përdorur në punimin e tyre dhe duke mos treguar se nga i kanë marr ato, rrjedhimisht duke i paraqitur këto pjesë sikurse janë pjesë të punës së tyre akademike”, ka thënë Dibran Hoxha nga ORCA.

Për më tepër, sipas ORCA-s, Dugolli e Kastrati me të njëjtin punim u avancuan në pozitë.

“Ardian Kastrati në vitin 2020 dhe Bujar Dugolli në vitin 2018, ishin avancuar duke e përdorur punimin në fjalë. Dhe vetëm falë këtij punimi, ata kanë arritur ta plotësojnë numrin e punimeve shkencore të nevojshme për avancim në pozitat e tyre aktuale, profesor asistent Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli në pozitën profesor i rregullt”, ka thënë Hoxha.

Këtyre pretendimeve, për KOHËN u është përgjigjur Dugolli, i cili duke mohuar kategorikisht ato, ka thënë se kjo mund të jetë qasje e organizatës për ta sulmuar deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, pas komentit të këtij të fundit ndaj presidentes Vjosa Osmanit gjë që çoi në vërejtje me shkrim ndaj tij nga Këshilli i Etikës së UP-së.

Punimi i njëjtë i publikuar në revista ndërkombëtare, sipas Dugolli, është futur në sistemin anti-plagjiaturë dhe pretendime të tilla nuk janë ngritur më 2017 kur punimi u publikua.

“Nuk e di në çka sillen ata, por në rast se kanë tendenca për ta sulmuar Kastratin, është diçka tjetër, por sa i përket anës sime është qasje e gabueshme. Nëse kanë qasjen për ta sulmuar Kastratin, mund ta sulmojnë, por punimin nuk mund ta sulmojnë sepse punimi i nënshtrohet një procesi të verifikimit nga revista dhe futet në sistemin anti-plagjiaturë akademik. Ai punim është kaherë i botuar dhe nuk ka pasur asnjë element të tillë që revista apo redaksia ku është botuar të kundërshtojë një gjë të tillë. Nëse do të ishte sipas pretendimeve të tyre, punimi nuk do të ishte botuar”, ka thënë Dugolli në një përgjigje për KOHËN.

Pretendimet e ORCA-s ndaj dy profesorëve, Dugolli i ka quajtur fushatë ndaj një individi, por shtoi edhe se anëtarët e organizatës nuk e kanë aspektin profesional për t’i vlerësuar elementet e plagjiaturës në punimet akademike.

“Punimet ku figuron emri im nuk ka diçka të tillë dhe ato mund të jenë fushata ndaj një individi të caktuar. Aspektin profesional ata nuk e kanë për t'i vlerësuar këto gjëra. Ata çfarë kanë përdorur, strategjitë e tyre, fenomenet e tyre për të dalë e për të sulmuar emra të përveçëm është qasje e tyre, por në aspektin profesional ata nuk e kanë aspektin profesional, ende disa prej tyre janë studentë dhe mund jenë të padiplomuar dhe nuk mund të rishikojnë punime të profesorëve, ta shohim çka janë pretendimet e tyre”, ka thënë Dugolli.

ORCA ka kërkuar nga organet udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës të iniciojnë procedurat për verifikimin e punimin dhe të merren masa në përputhje me Kodin e Etikës dhe Rregulloren për Procedura Disiplinore.

KOHA ka provuar të kontaktojë edhe Kastratin, por ka qenë e pamundshme qasja me të.