Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka njoftuar se një punim i Ardian Kastratit (deputet e profesor në Universitetin e Prishtinës) dhe Bujar Dugollit (profesor në Universitetin e Prishtinës) për diplomacinë është larguar nga revista “Analele Universitatii din Craiova-Seria Istorie”.
Përgjigjen e kësaj reviste si provë e kanë deponuar sot në Këshillin e Etikës së UP-së.
Në përgjigje të revistës shkruhet, ndër të tjera, se plagjiatura është e palejueshme për botuesin.
Në punimin “DIPLOMACY THROUGH THE AGES OF HISTORY: THEORETICAL ANALYSES OF THE CONCEPT”, sipas ORCA-s janë 36 burime të ndryshme të internetit që janë kopjuar plotësisht, gjë që paraqet plagjiat.
Ato sipas organizatës së shoqërisë civile i kanë shërbyer Dugollit e Kastratit për avancim akademik.
Dibran Hoxha, koordinator në ORCA, është shprehur i gëzuar me largimin e punimit ku dy profesorët janë bashkautorë, derisa i ka quajtur ata plagjiatorë.
"Me gëzim të madh ju njoftojmë se revista ku kanë publikuar Dugolli dhe Kastrati e ka hequr punimin e këtyre dy plagjiatorëve pas një komunikimi që ORCA e ka bërë me ta. Më 1 tetor 2021 ORCA ka dorëzuar në Këshillin e Etikës dosjen e përgatitur me të gjitha provat që faktojnë përtej çdo dyshimi plagjiaturën e dy profesorëve të Fakultetit Filozofik Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli", është shprehur Hoxha.
Ai ka thënë se punimi me elemente të theksuara të plagjiaturës i ka shërbyer për t’u avancuar në tituj akademikë Dugollit.
Hoxha ka thënë se në vitin 2018 Bujar Dugolli është avancuar nga titulli profesor i asocuar në profesor të rregullt, ndërsa në vitin 2019, Ardian Kastrati, nga titulli asistent në titullin profesor-asistent përmes këtij punimi.
“Pas gjashtë muajsh kohë të shqyrtimit të dosjes së plagjiaturës Këshilli i Etikës më 10 mars 2022 na ka kthyer një përgjigje zyrtare duke thënë që ata kanë vendosur që çështjen e referuar ta administrojnë përmes ekspertizës profesionale. Përgjigja e Këshillit të Etikës është skandaloze ngaqë plagjiatura e paraqitur në dosjen që e ka pranuar Këshilli i Etikës është aq lehtë e verifikueshme saqë nuk të duhet ekspertizë shtesë për ta faktuar atë”, ka thënë ai.