Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Orav: Marrëveshja për Ligjin për të huajt, frymëzim për vendet e BE-së si ta trajtojnë aplikacionin e Kosovës për anëtarësim

Ligji për të Huajt, rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës janë disa nga temat për të cilat shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, është deklaruar gjatë një takimi me gazetarë. Tek ka folur për Ligjin, i cili gjatë javës ka hyrë në fuqi me lehtësira për serbët që jetojnë në Kosovë, Orav ka vlerësuar se zbatimi i tij është frymëzim për vendet anëtare se si të trajtohet çështja e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE

Fillimi i zbatimit të Ligjit për të Huajt, është cilësuar frymëzim për shumë vende të Bashkimit Evropian (BE) se si ta trajtojnë çështjen e aplikacionit për anëtarësim të Kosovës në bllok, ka thënë shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Gjatë një takimi me gazetarë disa ditë para përfundimit të mandatit 19-mujor, Orav ka shfaqur shpresën që të ketë dinamika të reja në këtë proces.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Aplikacioni për anëtarësim të Kosovë në BE nuk është trajtuar në proces. Një prej arsyeve ka qenë se në njërën anë nëse ka masa ndëshkuese ndaj Kosovës në anën tjetër është e vështirë që vendet anëtare të BE-së të fillojnë procesin në diçka. Nuk mund të flas këtu në emër të të gjitha vendeve anëtare, por tani kjo marrëveshja e 14 marsit i jep frymëzim shumë vendeve anëtare se si ta trajtojnë këtë çështje në të ardhmen e afërt”, ka deklaruar ambasadori Orav.

Javën e shkuar, kryeministri Albin Kurti u pajtua për një numër lehtësirash gjatë zbatimit të Ligjit për të huajt, për serbët e Serbisë apo ata të Kosovës që nuk kanë dokumente identifikimi të shtetit.

E përkundër lehtësirave të arritura në dakordimin mes kryeministrit Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog, Peter Sorensen, ambasadori i BE-së tha se “zbatimi i këtij ligji nuk është diçka që mund të ndodhë brenda natës”.

Sipas diplomatit estonez, vendimi për lëshimin e lejeve të përkohshme të qëndrimit për personat që punojnë në institucionet e arsimit dhe ato shëndetësore në veri, ka bërë që të ofrohen listat e atyre personave.

“Këto lista nuk kanë qenë të gatshme të jepen më herët. Tani edhe popullata në veri e sheh që është e mundur të ecet përpara të zgjidhjen çështjet, nuk ka probleme”, ka thënë ambasadori i BE-së.

E integrimi i këtyre dy institucioneve në ato të Kosovës, sipas Oravit, pritet të mundësohet nga veprimet e ndërmarra pas konsultimeve mes kryeministrit Kurti, emisarit Sorensen dhe komunitetit serb, pa shkaktuar çrregullime apo ndërprerje të shërbimeve.

Përveç ndikimit tek serbët në veri, nga ambasadori Orav, Ligji për të Huajt është cilësuar edhe si një shembull si të ecet para në dialog dhe normalizim të raporteve Kosovë-Serbi

Ligji për të Huajt ka nisur të zbatohet me 15 mars, por me disa lehtësira, pas kërkesës së BE-së të cilën e ka përcjellë përmes emisarit Sorensen.

Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujor studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj.

Ecja drejt BE-së

Oravi ka deklaruar se Kosova dhe Serbia mund të ecin bashkë drejt Evropës, por se dialogu është fjala kyçe në këtë rast.

Sipas tij, lufta në Ukrainë ka dhënë një moment të ri të zgjerimit të BE-së, dhe se ky moment ka dhënë mundësi që të lëvizet përpara në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo është një mundësi si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, ka shtuar Orav duke përmendur edhe dialogun. “Mendoj se një pjesë shumë e rëndësishme integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian është dialogu dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë. Normalizimi mes vendeve është shumë i nevojshëm”.

Ambasadori Orav tutje ka thënë se ndonjëherë “bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë e bashkuar, ka qenë e ndarë në dhënien e këshillave”, por se, sipas tij, kjo bashkësi që në vitet e para të pavarësisë së Kosovës e ka shprehur qartë se çfarë do dhe çfarë nuk do.

Gjatë takimit me gazetarë, Orav ka përmendur edhe vizitën e shefes për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në Kosovë vitin e kaluar, ku sipas tij pas kësaj vizite BE-ja ngadalë ka arritur të rifitojë besimin e Kosovës.

“Jam shumë i lumtur që pas kësaj vizite ngadalë ishim në gjendje që të rifitojmë besimin. E kuptoj plotësisht që në një moment të caktuar nuk ka pasur besim ndaj BE-së, por sot mund të them se është kthyer ky besim, nga Qeveria, nga politikanët, por edhe nga komuniteti serb, besimi ndaj nesh dhe kjo nënkupton se është e mundur të ndërtohen ura”, ka thënë Orav.

Largimi i masave

Në përmbyllje të mandatit, shefi i zyrës së BE-së ka folur edhe për masat ndaj Kosovës, që janë hequr plotësisht tek këtë javë.

“Masat kanë mbetur prapa nesh dhe tani duhet të fillojmë të ecim përpara”, ka deklaruar Orav, derisa ka komentuar largimin e tërësishëm të masave të vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023.

Ai ka theksuar se largimi i tyre ka marrë kohë pasi është dashur që të arrihet një konsensus i të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

“Problemi ka qenë se ne është dashur të kemi konsensusin e të gjitha vendeve anëtare dhe kjo mori sa kohë. Pra, është e vërtetë nuk ka masa kundër vendeve të tjera, por si ambasador në Kosovë, nuk është puna ime të komentoj se çfarë ndodhë në vendet fqinje, por e vlerësoj atë që bën Kosova në fushën e politikes së jashtme”, ka thënë ai.

Tutje, Orav ka thënë se largimi i masave ndodhi pas largimit të problemeve në komunat veriore të banuara kryesisht me serbë.

“Kur janë aplikuar masat ndaj Kosovës ka pasur arsye të qarta pse është bërë kjo. Ato probleme që kanë ekzistuar atëherë tani janë zhdukur pas zgjedhjeve lokale ku pushteti është transferuar në mënyrë të rregullt ku kryetarët e komunave në komunat veriore të Kosovës kanë marrë detyrat pa ndonjë problem, ku policia është larguar nga objektet komunale. Kjo ka qenë arsyeja pse ne kemi pasur mundësin të ecim përpara”, ka deklaruar ambasadori i BE-së.

E kur është pyetur se pse BE-ja nuk i ka vendosur masa ndëshkuese edhe Serbisë, ambasadori Orav ka thënë se nuk mund të komentojë një gjë të tillë.

Ai po ashtu ka shprehur gatishmërinë e BE-së që tani të angazhohet në programe dhe projekte të reja me Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, sipas tij, që të ketë angazhime të tilla njëherë duhet të ketë sqarime se çfarë po ndodh me çështjen e presidentit.

Orav ka deklaruar se BE-ja nuk mundet t’i tregojë Kosovës së kë ta zgjedhë president.

“Zgjedhja e presidentes apo presidentit është zgjedhje e juaj, sigurisht e parlamentarëve tuaj të cilët sipas Kushtetutës duhet të votojnë, të propozojnë kandidatë. Nëse askush nuk propozon kandidat, për ne si vëzhgues ndërkombëtarë nuk di çfarë të them. Nuk e di cilat janë pritjet nga ne në këtë rast, por mendoj se Kosova është mjaft e pjekur. Ne nuk kemi qasje që t’ju tregojmë se si ta zgjidhni presidentin apo kë ta zgjidhni”, ka shtuar ai.

Orav ka thënë se çkado që të vendosë Gjykata Kushtetuese në lidhje me çështjen e presidentit, por edhe për çështjet e tjera, Bashkimi Evropian do të jetë i kënaqur me atë vendim.

Sipas tij deri më tani janë testuar limitet e Kushtetutës.

Ambasadori Orav e ka marrë mori detyrën si Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë më 1 shtator të 2024-s, dhe do të largohet tani.